Kryekonsulli i Turqisë në Rotterdam, Sadin Ayyıldız, duke vënë në dukje se është ndaluar automjeti ku ndodhet ministrja e Politikave Sociale dhe Familjes, Fatma Betul Sayan Kaya, tha se edhe ai vetë nuk është lejuar që të shkojë pranë ministres.
Kryekonsulli Ayyıldız ka dalë jashtë ndërtesës së kryekonsullatës ku para saj ndodhen qytetarë turq që protestojnë kundër vendimit të Holandës. Ai pasi ka vërejtur se pjesa përreth kryekosullatës ka qenë e rrethuar me barrikada, është rikthyer në ndërtesë pa vajtur pranë protestuesve, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë për AA, duke konfirmuar se është ndaluar automjeti i ministres Kaya, kryekonsulli Ayyıldız është shprehur se “Nuk jam në dijeni se ku është ndaluar saktësisht, gjithashtu nuk më lejojnë që të shkoj pranë saj”.
Sipas lajmit në televizionin publik të Holandës NOS TV, automjeti i ministres Kaya është ndaluar në afërsi të konsullatës.
Vazhdojnë ende masat e sigurisë të marra nga policia përreth konsullatës. Ndërsa qytetarët turq të mbledhur para konsullatës shprehin reagimet e tyre duke intonuar himnin kombëtar.
Ndërsa në anën tjetër theksohet se është ndaluar edhe automjeti ku ndodhen ekipet e AA-së dhe të TRT-së që kanë kaluar në Holandë nga Gjermania bashkë me ministren Kaya. Gazetarëve turq dhe zyrtarëve në autokolonën e ministrisë të cilët i janë nënshtruar marrjes në pyetje përafërsisht 1 orë iu është kërkuar që të kthehen në Gjermani duke u larguar sa më parë nga Holanda.
Erdogan kritikon ashpër Holandën: Mbetje naziste dhe fashiste
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka reaguar në lidhje me anulimin e lejes nga Qeveria e Holandës për uljen e avionit të ministrit të Jashtëm Mevlut Çavusoglu, duke u shprehur se “këta janë frikacakë, janë mbetje naziste dhe janë fashistë”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një ceremoni të përurimeve masive në Bagcilar të Stambollit, Erdogan tha se “Askush nuk mund të na gjunjëzojë, të na shikojë shtrembër, përsa kohë që në këtë vend janë 80 milionë zemra që janë të gatshme të perëndojnë si dielli për atdheun, flamurin, ezanin dhe liritë e tyre.”
Në lidhje me anulimin e lejes të uljes së avionit të ministrit Mevlut Çavusoglu nga Qeveria e Holandës, Erdogan tha se “Teksa ministri ynë do të shkonte në Holandë për takimin me qytetarët tanë erdhi lajmi për ‘ndalesën e fluturimit’. Ministri i Jashtëm i Turqisë do të niset drejt Holandës për tu takuar me qytetarët dhe Holanda jep notën ‘ndalim të fluturimit’. Kërcen njëherë, dy herë Holandë, por duhet ta dini se qytetarët e mi atje do ti prishin lojërat tuaja më 16 prill. Ushtroni presion sa të dëshironi, ushqeni terroristët në vendin tuaj sa të dëshironi, por mos harroni se të gjitha këto një ditë do t’ju kthehen mbrapsht dhe sigurisht që ne kundrejt këtyre pas 16 prillit do të nisim zbatueshmëritë tona. Ne jemi të durueshëm.”
“Ja aktualisht populli i Bagcilarit, po e jep notën e tij ndaj Holandës. Sado që të përpiqesh për të ndaluar fluturimin e ministrit tonë të Jashtëm, pas kësaj ne do të shikojmë si do të vijnë avionët e tu në Turqi? Sigurisht që unë po flas për diplomacinë, jo për udhëtimin e qytetarëve, ajo është një çështje tjetër dhe sipas kësaj do të kryejmë vlerësimet e këtyre. Nuk e dini as politikën dhe as çfarë është diplomacia ndërkombëtare. Këto janë frikacakë, këto janë mbetje naziste, këto janë fashistë. Këtë duhet ta dini të tillë”, është shprehur ndër të tjera Erdogan.
Ndërsa në lidhje me referendumin për ndryshimet kushtetuese Erdogan ka theksuar “Në votimin popullor për ndryshimin e kushtetutës ka dy rrugë para populli tonë. Ose do të vazhdojmë me sistemin aktual që është shkaktari më i rëndësishëm i krizave që kemi përjetuar deri më sot ose do të vendosim në zbatim sistemin e ri qeverisës që do të jetë garantuesi i stabilitetit dhe besimit”.
Diskutime rreth kësaj post