Tre shtete të tjera amerikane i janë bashkuar Hauait në kundërshtimin e urdhrit ekzekutiv të shefit të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, që ndalon hyrjen e udhëtarëve nga 6 vende me shumicë myslimane.
Oregoni thotë se urdhri dëmton banorët, punonjësit, universitetet, sistemin shëndetësor dhe ekonominë. Argumenti i Uashingtonit është se vendimi i ri i Presidentit ka të njëjtin motivacion të paligjshëm si fillestari dhe i cënon sërish qytetarët, edhe pse në masë pak më të vogël se i pari.
Masaçusets e përshkruan si diskriminues dhe një përpjekje antikushtetuese për të përmbushur një zotim të fushatës. Nju Jorku, ndërkohë, i qëndron linjës së ndjekur që në fillim e thotë se është praktikisht i njëjti urdhër bllokues për myslimanët, vetëm se me emër tjetër.
Më herët, disa avokatë të shtetit ishull Hauai, ngritën padi në një gjykatë federale të kryeqytetit Honolulu, duke argumentuar se urdhri i ri do të dëmtonte myslimanët e këtij shteti, turizmin dhe studentët e huaj.
Diskutime rreth kësaj post