Amerika është tronditur këtë javë, nga zbulimi i lajmit se një numër zyrtarësh të lartë të administratës Trump janë takuar fshehurazi me ambasadorin rus, Sergey Kislyak. Jeff Sessions, Prokurori i Përgjithshëm është vënë përballë presionit në rritje të demokratëve për të dhënë dorëheqje, pasi përpara zbulimit të skandalit, mashtroi një Komision Parlamentar, duke thënë se nuk kishte pasur kurrë kontakte me rusët.
Për CNN, 62-vjeçari Kislyak, nuk është vetëm një diplomat i shkëlqyer karriere që shërben në Uashington që nga 2008-ta, por edhe një mjeshtër i spiunazhit. Jo rastësisht, me daljen e tij të afërt në pension, Kremlini do të emërojë në Uashington një ndihmës personal të Putinit dhe Lavrovit, zv/ministrin e Jashtëm, Anatoly Antonov, njohës i shkëlqyer i levave të fshehta të pushtetit rus nëpër botë.
Ndërsa fushata zgjedhore e Trump, për herë të parë ka nxjerrë në dukje hallkat e sofistikuara të influencës ruse në SHBA, në Ballkan nuk ka nevojë të thellohesh shumë për të kuptuar se cilat janë fijet e buratinëve që tërhiqen nga Kremlini.
Greqia dhe Serbia, gjithmonë kanë luajtur me dy porta, duke kërkuar thellimin e bashkëpunimit me perëndimin, por pa sakrifikuar asnjëherë raportin e privilegjuar që kanë me Moskën. Vizita e fundit e Putinit në Athinë, armatosja e Serbisë me MIG-29 dhe mbështetja e presidentit Nikoliç e axhendës së tij anti-NATO, janë vetëm maja e ajsbergut të një serie ngjarjesh të fundit që kanë ndodhur në këto dy vende, gjithmonë me pëlqimin rus.
Në Bullgari, zgjedhjet presidenciale vunë në krye të shtetit një politikan me orientim të qartë pro-rus. E njëjta gjë ndodhi edhe në Moldavi, shtetin e varfër ish-sovjetik, një pjesë e territorit të të cilit (Transistria) vazhdon të jetë i pushtuar nga trupa ruse. Rerotika anti-shqiptare e VMRO-DPMNE në Maqedonisë është produkt i drejtëpërdrejtë i mbështetjes së Moskës ndaj Gruevskit, ndërsa atentati i dështuar ndaj Gjukanoviçit në Malin e Zi, tregon se sa seriozisht e merr Rusia ruajtjen e sferave të saj të interesit në Ballkan.
I vetmi vend ku Rusia nuk ka mundur të ndërtojë një vatër të mirëfilltë influence në rajon, në këto 25 vite ka qenë Shqipëria. Orientimi ynë i qartë pro-perëndimor është një meritë e padisktueshme e të dy krahëve të politikës, por kjo ka nisur të ndryshojë.
Bllokimi i vetingut e njëkohësisht i integrimit europian të vendit, si dhe vota kundër e PD-së në Bruksel, kur në nëntor u propozua hapja e bisedimeve të anëtarësimit, janë dy ngjarje të paprecedenta, të cilat dëshmojnë për një riorientim të ri të politikës shqiptare, këtë herë jo mbi bazë ideologjie apo interesash, por mbi blloqe të qarta influence.
Përtej teorive konspirative e të paprovuara që e shohin Berishën apo Bashën si të lidhur me agjenturën apo lobet serbe, e rrjedhimisht edhe me ato ruse, e vërteta është se bllokimi i vetingut nuk po i shërben axhendës pro-europiane të vendit.
Pa dyshim, në skenarin ideal të Rusisë, Shqipëria do të ishte një domino në përpjekjet e tyre për të vendosur një dominim të ri global, të ngjashëm me atë që ushtruan efektivisht mbi gjysmën e botës gjatë kohës së Bashkimit Sovjetik. Në pamundësi për të realizuar këtë skenar, plani B që kënaq Kremlinin është një Shqipëri sa më e dobët, pasi dobësimi i faktorit shqiptar në Shqipëri dhe në Ballkan, i shërben drejtpërsëdrejti interesave ruse, teksa njëkohësisht godet interesat e partnerëve tanë europianë dhe amerikanë.
Ndryshe nga SHBA, ku mediat po zbulojnë një lojë të sofistikuar me spiunë dhe lobe influence, e ku FBI ka shpallur në kërkim dy hakera të rrezikshëm që besohet se kanë influencuar rezultatin e zgjedhjeve me porosi të FSB-së, pasaardhëses së KGB-së, në Shqipëri nuk është nevoja të shkojmë aq larg për të parë fijet e holla të fidanit të interesave pro-ruse, që po mbillet në vend.
Konflikti i hapur me Ambasadën Amerikane dhe përfaqësuesit e BE-së, përqeshja e deklaratave të Kancelares Merkel dhe bllokimi agresiv i rrugës europiane të vendit, çojnë qartë ujë vetëm në mullirin rus. Pa dyshim, Putin nuk do të vijë në Tiranë për të përkrahur buratinët e tij, por në zyrën e tij të rehatshme në Kremlin, dikush duhet të ndihet i kënaqur me orientimin e ri që po merr i vetmi vend ku rusët, për 25 vjet nuk kanë mundur dot kurrë të ndërtojnë një bazë të qënësishme influence.
Redaksionale Lexo.al
Diskutime rreth kësaj post