Në një komunikim direkt gjatë emisionit “Top Story” të gazetarit Sokol Balla në “Top Channel”, Nano i kërkoi kreut të opozitës të jetë pjesë e çadrës për të thënë disa të vërteta që përgjatë këtyre 17 ditëve nuk i ka dëgjuar të thuhen nga pjesëmarrësit dhe intelektualët që kanë qenë pjesë e saj.
“Panorama” kontaktoi me publicistin Mustafa Nano për të mësuar më shumë mbi të vërtetat që ai vetë kërkoi të thotë në çadrën e demokratëve. Sipas Nanos, demokratët duhet të jenë koshientë dhe përgjegjës për atë që ka ndodhur në Shqipëri në këto 26 vite.
Ai rrëfeu se do t’u kërkojë demokratëve të ndërtojnë një komunitet të lirisë dhe të garës brenda Partisë Demokratike, duke u ndarë nga lidershipi i vjetër që ka 26 vjet në krye të PD-së.
Z.Nano, ju deklaruat në “Top Story” se doni të shkoni në çadër sepse keni një mesazh për demokratët, çfarë doni t’u thoni?
Do t’u them që shqetësimi për zgjedhjet është gjenuin, dhe që meriton mbështetje, e që kanabizimi i vendit më duket i frikshëm për më shumë se një arsye, por do të shtoj edhe një “por” shumë të rëndësishme. Do t’u them demokratëve se ata kanë përgjegjësi të jashtëzakonshme për këtë që ka ndodhur në Shqipëri në këto 26 vite. Edhe atë operacionin që duan t’i bëjnë Shqipërisë, siç thotë Basha, duhet t’ia bëjnë në radhë të parë partisë së tyre. Do t’u them të ndërtojnë një komunitet të lirisë, ku të ketë liri mendimi, ku të ketë garë, ku kryetar i Grupit Parlamentar të mos bëhet ai që është më i fortë, por ai që është më i mençur, do t’u them t’i kërkojnë një ndjesë të madhe publikut shqiptar për të gjitha mëkatet e rënda që kjo parti ka mbi shpinë, do t’u them që të distancohen urgjentisht nga lidershipi i vjetër. Nëse kjo parti nuk e bën këtë gjënë e fundit, ajo nuk ka besueshmëri për asgjë, ajo nuk ka asnjë kartë fituese në këtë mes, ajo nuk ka asgjë që ta dallojë nga maxhoranca. Përkundrazi, mund të ketë gjëra që e dallojnë për më keq, e që i bëjnë shqiptarët të mendojnë se “jemi mirë me këta që jemi”.
Për çfarë bashkohesh me Bashën? Pse do të jesh në çadër?
Siç e thashë, shqetësimi për zgjedhjet e lira dhe të ndershme është edhe i imi, dhe ka qenë gjithnjë i imi, edhe kur Basha merrte mandatin e kryebashkiakut të Tiranës si rezultat i trukimit të zgjedhjeve me firmat e Ristanit. Po kështu, është i imi edhe shqetësimi mbi kanabizimin e vendit, apo mbi horrat që Rama ka zgjedhur për partnerë në politikë, por Basha të mos mendojë se të vetët, Paloka, Strazimiri, Noka etj., janë më pak horra, ngaqë biografinë penale e kanë të pastër.
Mendon që Basha do t’i qëndrojë ftesës për ju dhe kjo ngjarje do ndodhë?
Nuk e di nëse do të ndodhë. Basha aty ishte dakord, por nuk e di nëse do t’i qëndrojë. Mund të ketë arsye të mos e shohë të dobishme praninë time aty. Por nëse Basha më merr në telefon edhe më thotë “po, hajde, je i mirëpritur”, unë do ta marr këtë si një gjë shumë të rëndësishme e pozitive, si një moment të lezetshëm hapjeje të një partie, e cila ka qenë një garnizon për 26 vite. Të kuptohemi, kërkesa ime për të shkuar atje nuk ka lidhje me ndonjë qejf timin për të folur me një audience që nuk më ndjek dot, apo që nuk do të më dëgjojë. Ky është një test që unë dua t’i bëj partisë së Bashës. Nëse është e Bashës.
Diskutime rreth kësaj post