Flamur Pirraçi, 34-vjeçari, që goditi me grushte Kreshnik Spahiun, ka bërë të ditur se, përplasja fizike me kreun e AK-së ka ndodhur për shkak të një zënke në “Facebook”. 34-vjeçari, në një intervistë për “Panorama”, ka pohuar se gjithçka ka ardhur nga një etiketim i Kreshnik Spahiut për studentet shqiptare dhe se nuk është shtyrë nga askush. “Me Kreshnik Spahiun kemi folur për herë të parë në një adresë në ‘Facebook’. Ai kishte bërë një postim në të cilën fliste për studentet femra shqiptare, ku shkruante se ato shkojnë në Europë për të studiuar dhe punojnë si prostituta. Në këtë postim, unë bëra një koment, pasi nuk më pëlqenin etiketimet e bëra prej tij. Komenti nuk ishte ofendues. I shkruajta se nuk ke të drejtë të ofendosh të tjerët. – Ndërsa ai ma ktheu: ‘Ik shporru nga kjo faqe, ore idiot’”.
Duke vijuar më tej, Pirraçi tha: “Bindjet e mia janë të djathta, unë jam demokrat. Te çadra kam qenë edhe herë të tjera, por nuk e kisha parë Kreshnik Spahiun. Hera e parë që e pashë ishte atë natë. Vajta e takova dhe i thashë që unë isha Flamur Pirraçi që e kishte ofenduar në ‘Facebook’. Në atë moment, njerëzit që e rrethonin më goditën, edhe unë i godita me grushte për të mbrojtur veten. Kaq është historia”. Flamur Pirraçi ka mohuar të ketë qenë i armatosur apo i shoqëruar me njerëz. “Atë natë kam qenë vetëm”, – ka thënë ai.
Më tej, 34-vjeçari thekson se nuk ka njohje me deputetë të PS dhe nuk është shtyrë nga askush për ta goditur kreun e AK-së. “Nuk njoh deputetë të Partisë socialiste. Ata i kam parë vetëm në televizor. Dhe nuk jam shtyrë nga Rama dhe nga asnjë tjetër”. Sa i përket fotos me ish-kryeministrin Sali Berisha, 34-vjeçari, Flamur Pirraçi tha: “Berishën e kam takuar rastësisht te Gjiri i Lalzit. Ai ishte duke bërë vrap bashkë me dhëndrin e vet. Dhe e ndalova, duke i kërkuar të bënim një foto. Kaq dhe pastaj u ndamë”. Duke përfunduar, Pirraçi e konsideron të mbyllur sherrin me Spahiun. “Ishte një gabim i të dyve. Besoj se e kemi mbyllur. Nuk duhej të kishim shkuar deri këtu”.
Diskutime rreth kësaj post