Gjykata e Apelit në Kolmar të Francës e shtyu sërish vendimin për Ramush Haradinajn. 2 marsi ishte data kur duhej të vendosej mbi ekstradimin e ish-kryeministrit të Kosovës, të akuzuar nga Beogradi për krime lufte. Por, fati i liderit të AAK-së tani do të mësohet në 6 prill.
Në seancën e fillimit të shkurtit, gjykata franceze nuk doli me një përfundim mbi këtë rast, duke e lënë Haradinajn në masën e lirimit me kusht. Përpara kësaj, autoritetet serbe kishin depozituar materiale shtesë, çka u mendua si arsyeja e zvarritjeve në Kolmar. Avokati i tij, Arianit Koçi, kishte shumë shpresa se e enjtja do të sillte më në fund lirimin e ish-kreut të UÇK-së. Edhe vetë Haradinaj duket i lodhur nga kjo situatë. Ai i tha radios “Europa e lirë” se ndalimi nuk kishte ndodhur fare, pasi fletë-arrestet serbe nuk kanë më asnjë vlerë. Të tilla mandate nuk po respektohen tashmë nga shumë shtete, si Gjermania, Britania e Madhe e vende të tjera, kujton Haradinaj, i cili ndalimin në Francë e cilëson një mbajtje peng, pasojë e veprimeve politike të lidershipit të Serbisë.
“Nikoliç, Vuçiç e Daçiç kanë qenë pjesë e strukturave të Millosheviçit, që u kanë shkaktuar tragjedi popujve të Ballkanit, prej Bosnjes, Kroacisë dhe Kosovës. Asnjëri prej tyre nuk ka dalë përpara ndonjë gjykate, qoftë ajo vendore apo ndërkombëtare. Ndërsa unë kam kaluar para një gjykate ndërkombëtare e cila e ka filtruar, pra e ka dhënë pafajësinë time, për luftën gjatë vitet 1998-1999”, ka thënë Haradinaj.
Ndërkaq, ekspertë të çështjeve penale nuk përjashtojnë mundësinë që procesi të zgjatet për shkak se organet kompetente të drejtësisë në Francë, nisur nga gjykatat, duhet të shqyrtojnë qëndrueshmërinë, vlefshmërinë dhe vërtetësinë e provave të paraqitura nga Serbia për këtë rast.
Diskutime rreth kësaj post