Nga Anri Bala
Nuk ka fund çoroditja e Partisë Demokratike! Kampionët e zullumeve dhe padrejtësisë, çdo ditë që kalon po degradojnë të strukur brenda “çadrës” së tyre, me një apati totale mendimesh, kauzash, idesh dhe artikulimesh, sepse e tillë nisi protesta anti-veting: “Ta ngrejmë njëherë çadrën… pastaj le të dalë ku të dalë…!”
Por, kauzat nuk lindin nga hiçi! Nuk lindin prej kohës që kalon…! Ato nuk janë ide që të vijnë nga ëndërrimet pas përgjumjes në çadër! Nuk janë psherëtima “mendjendriturish” në vesh! Ato nuk “ushqehen” nga udhëtime militantësh me autobuz, as me pica, as me qofte dhe as me raki. Shqiptarëve nuk i ka munguar “ahengu” i padrejtësisë.
Kemi “hedhur” boll valle nëpër dyer gjykatash! Ne nuk e kemi dashuruar kurrë “ahengun” tuaj, por atë tonin, të varfër… por të drejtë! Me qofte, muzikë e raki, ka qenë i vetmi motiv, për të larguar brengën e shpirtit, nga ajo që na vrau e na ndau gjithë këto vite… padrejtësia!
Por ju, u kapardisët e u ngrefosët! Na i shitët karshillëk popullit, sikur të ishit në javën e modës, e jo në një protestë kundër varfërisë, papunësisë, skllavërisë, duke mashtruar se do luftonit!
Jo, ju nuk talleni dot më me ne! S’mund të na bëni më karshillëk me kostumet tuaja, as me palltot, çantat, e aksesorët disa mijëra euro, më të lirin prej tyre, do ta kishte zili edhe miliarderi më i madh i botës. Kur them botës, e kam fjalën atë të drejtësisë, se në atë të padrejtësisë, ju nuk e keni problem të gjeni “shok”! Vetëm syzet “Chopard” prej ari të Mirit të Gërdecit, vlejnë sa gjithë dhëmbët që mungonin në gojën e protestuesit, të kthyer imazh i skamjes në rrjete sociale…!
Si guxoni të talleni me ata dhe me ne! Si guxoni të na bëni karshillëk, me ca vakte ushqim, për të shpëtuar “gostitë” tuaja! Si guxoni, të na mbani peng ne dhe drejtësinë, për të shpëtuar vilat dhe miliardat tuaja! Si guxoni, të pengoni drejtësinë, që na la pa asnjë “dhëmbë” në gojë! Si guxoni, të mbroni padrejtësinë, prej të cilës nuk na kalon kafshata e ushqimit në stomak! Mallkuar qofshi!
Të gjendur pa ide, u munduat të kopjoni modelin e çadrës së grevës fisnike të urisë së vitit 2010. Them fisnike si e para grevë, e cila denoncoi me “uri” vjedhjen e votës, e jo me bankete e muzikë për të përkëdhelur qejfet tuaja. Tentoni të entuziasmoni masat me ngritje dronësh, sikur të jeni në Beograd, por harroni se “Beogradin” na e latë peshqesh prej vitesh me vepra anti-kombëtare duke furnizuar makinën e tyre të luftës, për të masakruar popullin kosovar, apo shitjen e trojeve që edhe sërbi më nacionalist do t’i u kishte zili.
Kopjuat sloganin e presidentit “mik” imagjinar, që as ju ka në “listë”. Por ju nuk u ndalët, duke ëndërruar me delirin prej të marrësh që ju ka pushtuar, duke deklaruar se tashmë për ju ka ardhur momenti: Për ta bërë “Shqipërinë edhe njëherë madhështore” (Make Albania Great Again). Të çmendurit mund ta imagjinojnë Shqipërinë tuaj “madhështore”, se njerëzia që quhet popull, do tmerrohej dhe lebetitej nëse madhështia e Shqipërisë ishte ajo, që na latë ju.
“Të marrin e mburr hija e tij”, por ju as hije nuk latë në këtë vend, sepse nuk pamë asnjë ditë me diell. Seriozisht, apo çmendurisht, doni të na e ktheni përsëri Shqipërinë e “madhërishme” të veshur me të zeza nga ju, kur bota shqyente sytë dhe friksohej, sepse nuk kishte vit që mos të bënit një mënxyrë.
Shqipëria juaj, ka qenë “madhështore” vetëm në tragjedi, si ajo e “21 Janarit, “Gërdecit”, grusht shtetit të 14 Shtator 1998, për të mos përmendur trazirat dhe jetët e humbura në vitin e mbrapsht ’97.
Modeli juaj “madhështor” është ai, që mban vendin peng të padrejtësisë. I vetmi model “madhështor” i juaji, është ai i dhunës, të asaj vepre të ligë, që fare mirë e keni treguar prej ditësh, që kur në çadrën tuaj kanë filluar grushtet e para, për të plotësuar “epshet” dhe thirrjet e “kryetarit”.
Kemi qeshur se nuk qanim dot! Kemi udhëtuar me autobuz qindra kilometra, për të gjetur drejtësinë, nëpër dyer gjykatash, e për fat të keq, nuk na u “përgjigj” kurrë…! E sot, që na jepet mundësia, ju tentoni të na e flakni tutje në mënyrën më të shëmtuar të mundshme…!
Kauzat janë revoltë e brendshme shpirtërore, kundrejt çdo padrejtësie. Ato burojnë krejt natyrshëm, janë domosdoshmëri për prosperitet. Kauzat nuk vijnë me përgjumje në çadër dhe as duke “grabitur” modelet e atyre që sakrifikuan me gjak dhe me jetë.
E tani më shumë se kurrë, vendi ynë po kalon provën e tij më të madhe, testin e vetingut! E vetingu nuk është shaka, që do t’i u ledhatoi në shpatulla dhe t’i u fërkoi ballin ju, o të pa turp! Vetingu është grushti i fundit, që do merrni nga të genjyerit dhe zhgënjyerit, nga të varfërit dhe të vobektit, nga nënat, motrat e gratë e atyre, që i keni veshur me të zeza.
Vetingu, ky grusht që po i’u vret pa i’u goditur, ka për t’i u gremisur, që Shqipëria të filloi të bëhet një “Zonjë e randë”, siç e meriton… e madhërishme dhe e veshur me të bardha!
Diskutime rreth kësaj post