Fushata sensibilizuese për dorëzimin e armëve pa leje që shqiptarët mbajnë në banesat e tyre prej vitit 1997, nuk ka përfshirë vetëm Policinë e Shtetit por edhe të rinj të cilët i janë bashkuar kësaj kauze.
Policia mirëpriti ftesën e të rinjve të Sarandës për t’ju bashkuar në fshatin Vrinë. Ata trokitën derë më derë për të përhapur thirrjen e dorëzimit të armëve, brenda 30 prillit si afat i fundit i amnistisë.
Drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, i shoqëruar edhe nga shefi i komisariatit të Sarandës, Ermal Lila, ftoi të gjithë banorët që disponojnë armë zjarri pa leje t’i dorëzojnë, për të garantuar në këtë mënyrë një Shqipëri më të sigurt.
“I kemi ftuar të gjithë banorët e fshatit që të bëhen pjesë e kësaj nisme dhe të kontribuojnë secili prej tyre për të dorëzuar, nëse disponojnë një armë zjarri pa leje, dhe për t’ju bashkuar këtij rrugëtimi tonë drejt një Shqipërie më të sigurt”, theksoi Çela.
Disa nga banorët që i janë përgjigjur pozitivisht kësaj nisme deklaruan se ndiheshin të rrezikuar nga mbajtja pa leje e armëve, pasi fëmijët mund të luanin me to, ose edhe mund t’i përdornin gjatë zënkave të moshës.
Në këtë fshat u dorëzuan dy armë pa leje, ndërsa pjesë e apelit për një Shqipëri të paqtë, u bë edhe një prift.
“Arma ka të keqen e saj vret të shfaros, vazhdoni këtë mision që të shohim një Shqipëri me lule”, – tha ai.
Ndërkohë, edhe ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri përshëndeti iniciativën e të rinjve dhe sensibilizimin qytetar për një Shqipëri pa armë.
“Trim është kush dorëzon armën.:) Faleminderit studentëve që bashkë me policinë trokasin derë më derë për sensibilizimin e qytetarëve. Shqipëria pa armë”, – shkruan ministri në rrjetin social Facebook.
/Gazeta Express/
Diskutime rreth kësaj post