Bashkia e Tiranës i bashkohet solidarizimit të qytetarëve të Gramshit për familjet që u dëmtuan rëndë nga djegia e banesave të tyre prej zjarrit të pak ditëve më parë. Në emër të Shoqatës për Autonominë Vendore dhe të stafit të Bashkisë së Tiranës, u nisën drejt qytetit të Gramshit ndihma me ushqime dhe veshmbathje, ndërkohë që kontributi i qytetarëve të Tiranës do të vijojë edhe në një fazë të dytë, për të lehtësuar dëmet materiale që familjet pësuan nga rënia e zjarrit.
Në nisjen e paketës së parë të ndihmave, kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, njëherësh edhe Kryetar i Shoqatës për Autonominë Vendore, shprehu solidarizimin dhe gatishmërinë për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë.
“Jemi ndjerë shumë të keqardhur nga ajo çfarë ndodhi në Gramsh. Shprehëm solidaritetin tonë në emër të Shoqatës për Autonominë Vendore, kemi mbështetur mikeshën tonë Luljetën, e cila është përballur me një situatë, fatmirësisht pa pasoja njerëzore, por me dëme të mëdha në humbjen e pronës për familjet që u prekën nga zjarri. Unë besoj se mënyra më e mirë për të shprehur solidaritetin nuk janë fjalët, por është një vepër konkrete. Ndaj më vjen mirë që edhe shoqata jonë e bashkive, por edhe stafi i Bashkisë së Tiranës, ka mbledhur ç’ka mundur, ushqime, tesha, veshmbathje, batanije, për të lehtësuar sadopak kalimin e kësaj situate të vështirë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës vlerësoi si tepër të rëndësishëm solidaritetin për ata që kanë nevojë, pavarësisht distancave mes njëri-tjetrit. “Do të jemi gjithmonë të gatshëm të ndihmojmë në Gramsh, edhe për një fazë të dytë, nëse do ketë nevojë për pajisje elektro-shtëpiake për të zëvendësuar ato që humbën. Besoj se thelbi i të qenurit Kryetar Bashkie, nuk është vetëm te solidariteti me qytetarët tanë, por ashtu siç treguam edhe në Kukës dhe sot në Gramsh, është edhe solidaritet me njëri-tjetrin, pavarësisht distancave që na ndajnë, teksa kryejmë këto funksione”, shtoi ai.
Duke uruar për kalimin sa më të shpejtë të kësaj situate të vështirë, Veliaj shprehu besimin se anëtarët e Shoqatës për Autonominë Vendore do të kontribuojnë në kohë për kapërcimin e gjendjes. “Uroj shumë që kjo fazë të kalojë shpejt dhe besoj se ashtu si edhe deputeti i zonës, Taulant Balla, po edhe bashkitë e tjera që po shprehin solidaritet, do të ndihmojnë për këtë. Besoj se të gjithë anëtarët e tjerë të shoqatës do të përgjigjen në kohë për çdo nevojë që mund të ketë secili. Parimi ‘një për të gjithë dhe të gjithë për një’, vlen sidomos në raste të tilla të vështira. Ndaj, duam t’i urojmë koleges tonë në Gramsh një kalim të shpejtë të kësaj situate dhe t’iu gjendemi pranë familjeve në Gramsh, por edhe kudo në Shqipëri, ku mund të jemi sadopak të dobishëm”, u shpreh Veliaj.
Pak muaj më parë, Bashkia e Tiranës ndihmoi me pajisje shkollore një shkollë në Morinë të Kukësit, pas letrës për ndihmë që drejtori i saj i kishte drejtuar kryebashkiakut Veliaj.
Diskutime rreth kësaj post