Pas ngjarjes së rëndë të regjistruar në Velcan të Pogradecit, ku një çift të rinjsh u gjetën të pajetë në kasollen e bagëtive, ka reaguar babai i 26-vjeçarit Erzen Torra.
Avni Torra është kthyer nga Amerika për t’i dhënë lamtumirën e fundit djalit dhe nuses së shtëpisë, por ai ka dyshime të forta se burrë e grua janë vrarë. Ai nuk është në gjendje të përcaktojë shkakun dhe emrat konkretë, por këtë ia kërkon Policisë ta hetojë. Sipas Avni Torrës, i biri dhe nusja kishin marrëdhënie shumë të mira me njëri-tjetrin.
“Fatbardha ishte shumë e urtë dhe e qeshur, nuk mund ta besoj kurrë që ajo ka vrarë tim bir e më pas veten. Kam dyshime te persona të tjerë, por se kush mund të jenë këta, le t’i gjejë Policia”, shprehet babai i 26-vjeçarit që u gjet i masakruar në kokë me mjete të forta. Ndërsa bashkëshortja e tij 23-vjeçare u gjet afër tij e helmuar.
Z. Avni, si e mësuat ngjarjen për të cilën paraprakisht Policia ka dyshime se djali juaj është vrarë nga nusja e më pas ajo është vetëhelmuar?
Më mori djali i vogël në telefon. Më foli në mënyrë të çuditshme, e dallova që në zë që diçka kishte ndodhur. U përpoq të më shmangej dhe të mos më thoshte të vërtetën, duke më thënë që ishin sëmurë. Por më kërkoi që të nisesha sa më parë. “Merr avionin dhe nisu”, më tha, “mos humb kohë”, dhe ma mbylli. Nuk e mora vesh çfarë po bëhej. Ngriva i tëri, nuk më punonin duart. S’dija çfarë sqarimi t’i jepja as gruas sime, ishim të paqartë. Nisëm të rrëmbenim dy rroba për të veshur dhe nga ana tjetër përpiqeshim të lidheshim në telefon me njerëzit tanë. Nuk lidheshim dot se nuk funksiononte linja.
Kur e mësuat konkretisht se çfarë kishte ndodhur?
Kur erdhëm këtu, morëm vesh ato që thuhen. Por nuk mund të them akoma se unë si prind di çfarë ka ndodhur. Nuk e kam të qartë çfarë u bë me ata të dy, sepse nuk e besoj dot që nusja ime të ketë gjetur forcë të bënte një veprim të tillë.
Kur ka qenë hera e fundit që i keni takuar nga afër Fatbardhën dhe Erzenin?
Para dy javësh isha këtu. Erdhëm me bashkëshorten se kishim disa ditë pushim. Na kishte marrë malli për fëmijët, se kishim dy vjet pa i parë dhe erdhëm. U kënaqëm me nipin. Kjo ishte arsyeja e vërtetë që sapo na u dha mundësia erdhëm këtu, se u bëmë gjyshër për herë të dytë.
Pse thoni që jeni i paqartë për ngjarjen, nuk keni shkuar në polici?
Patjetër që shkova, na thirrën me vrap të na pyesnin si shkonin si çift dhe a kishin probleme. Por dje shkova vetë në komisariat të pyes se çfarë të reja kishin nga hetimi dhe ma prenë shkurt. Më thanë: “Ne po hetojmë, s’të japim dot asgjë tani. Do të të lajmërojmë vetë, po pati ndonjë zhvillim të ri”.
Çfarë deklaruat ju në polici për marrëdhënien e tyre?
Të vërtetën thashë, që shkonin për mrekulli. Unë s’i kam parë asnjëherë të zihen. Tani si çdo çift i ri kishin ndonjëherë grindje, ndonjë mërzitje të vogël me njëritjetrin, por asnjëherë nuk mund të thuash që ziheshin ashpër apo gjëra shqetësuese. Ata e donin shumë njëri-tjetrin dhe sidomos nusja ishte shumë e urtë. Nuk ia kisha dëgjuar njëherë zërin, vetëm qeshte. Unë dhe ime shoqe e donim si vajzën tonë. Ajo ishte e vogël, por mbante peshën e gjithë familjes, të burrit, fëmijëve, por edhe të djalit të vogël. E veç këtyre, priste e përcillte dhe na i nderonte të gjithë të afërmit. Gëzoheshim kur flisnim me të afërmit dhe na flisnin fjalët më të mira për djalin, nusen e fëmijët. Ne vërtet ishim në emigracion, por sytë e mendjen te fëmijët i kishim, për ta punonim, kurse tani… (qan).
Po të ardhurat për familjen a ishin të mjaftueshme?
Pa diskutim. Ne u dërgonim vazhdimisht, por edhe djemtë punonin. Erzeni kishte traktorin dhe punonte vërtet shumë e merrte pas edhe të vëllain. Nga ana ekonomike nuk u mungonte asgjë. Djalin e kisha të rregullt dhe familjar, nusen po ashtu. Nuk e di çfarë ishte kjo hata.
Po për fëmijët kush po kujdeset?
Më dhemb shpirti për ata fëmijë. Nuk janë pa njeri, që të thuash kush do kujdeset, por fatkeqësi është që mbetën jetimë pa nënë e babë. Kanë gjyshër e njerëz të tjerë që do t’i rritin, por unë nuk do di çfarë t’u them kur të më pyesin për prindërit e tyre. Çfarë t’u them, kur as unë vetë nuk e di? Shkova në spital që firmosa disa dokumente për procedurë. Por këtë që më thonë, që nusja vrau djalin me dru e pastaj veten s’e besoj dot. S’ma vërtetojnë dot atë që thonë. E para, pse duhet ta bënte ajo këtë gjë dhe e dyta, një femër që ta masakrojë një burrë ashtu më duket e pabesueshme. Pse, aq kollaj qenka, ai ishte në gjumë dhe kjo i shkoi e la në vend?! Është e pabesueshme, kush ma thotë që u zunë, kush i pa?! Po ai mesazhi që dërgoi te numri i djalit të vogël, kam shumë dyshime.
Cili është apeli juaj?
Policia të hetojë si duhet dhe të nxjerrë të vërtetën. Unë dyshoj që dikush tjetër mund t’i ketë vrarë dhe i kanë bërë gjërat që të duken kështu. Konflikte me të tjerë ne nuk kishim, me sa di unë, por përsëri nuk i dihet. S’dua të hedh baltë kot, por hetimi të nxjerrë të vërtetën. Kam dyshime shumë të forta se dikush i ka vrarë.
Diskutime rreth kësaj post