Çadra e protestës është instaluar në mes të bulevardit të madh të Tiranës. Vetëm pak metra larg zyrës së kryeministrit dhe thuajse të njëjtën distancë ka dhe nga zyra e kryetarit të parlamentit. Simbolikisht ajo është “futur në mes” të dy selive që drejtohen nga kryetarët e aleancës qeverisëse, PS dhe LSI.
Partia Demokratike si mbështetëse kryesore e kësaj proteste që ka nisur nga mesdita e së shtunës thotë se do qëndrohet aty deri sa të plotësohen dy kushte kryesore, qeveri teknike dhe garantimi i zgjedhjeve të lira. PD dhe partitë aleate kanë bërë kujdes që atmosfera në çadrën që e kanë pagëzuar si “çadra e lirisë” të jetë e ndezur në 24 orë ku thirrja më e zakontë është “Rama ik!” Demokratët shpresojnë në një mbështetje ndërkombëtare për aksionin e tyre politik, duke shpallur dhe bojkotimin e parlamentit për aq kohë sa do të vijojë protesta në bulevard.
Mazhoranca: Protesta – mënyrë për të kundërshtuar reformën në drejtësi
Kryeministri Rama dhe eksponentë të mazhorancës po e përshkruajnë protestën si një mënyrë që opozita ka zgjedhur për të kundërshtuar reformën në drejtësi, si një sebep i demokratëve për të justifikuar humbjen e zgjedhjeve në votimet parlamentare të 18 qershorit. Kryeministri është shpprehur se protesta le të vazhdojë, por deputetët duhet të vijnë në parlament pasi në këtë periudhë merren vendime të rëndësishme për reformën në drejtësi, konkretisht për procesin e Vetting-ut.
Situata duket e paqartë dhe sa vjen e palët i largohen njëra tjetrës. Për analistët e pavarur në Shqipëri protesta e opozitës shikohet në kontekstin e zhvillimeve të tjera politike, por më së shumti me procesin e realizimit të vetting-ut, apo me zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit të këtij viti.
Është vështirësuar më shumë situata parazgjedhore
Lektori i shkencave politike në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Afrim Krasniqi, i shikon dy kërkesat kryesore të opozitës, si të ndryshme. Sipas tij, ajo për zgjedhje të lira ka mbështetje masive, por abstrakte si koncept, sepse as votimi elektronik dhe as paketa e majit 2016 propozuar nga PD nuk garanton domosdoshmërisht zgjedhje të lira.
Sistemi është bërë nga dy palët, me konsensus dhe në kundërshtim me sugjerimet e shoqërisë civile dhe shumicës qytetare, thotë në bisedë për Deutsche Welle-n Prof. Asoc. Afrim Krasniqi. “Zgjedhjet e lira kërkojnë depolizitim të administrimit, reformë të thellë në financim dhe organizim, hapje të sistemit etj, kërkesa që nuk mbështeten nga asnjëra prej partive të mëdha, përfshirë ato në opozitë. Kërkesa për qeverinë teknike është pjesë e lëvizjeve taktike me shpresë tek përçarja e mazhorancës dhe me synim mobilizimin politik të militantëve. Qeveria rrëzohet kur ka krizë të thellë politike e ekonomike dhe kur humbet besimin në parlament, – dy rrethana që nuk përkojnë aktualisht me gjendjen në Shqipëri”.
Për analistin e medias Enton Abilekaj, opozita shqiptare aktualisht ka nisur një aksion ekstrem ndaj qeverisë. “Klima e mosbesimit në prag të zgjedhjeve, precedentët shqetësues të zgjedhjeve të mëparshme, dyshimet për reformën në drejtësi dhe pakënaqësia nda zbatimit të ligjit për dekriminalizimin, numërohen si faktorët kryesorë. Por vendimi ekstrem duket sikur i ka larguar më tej kampet kryesore politike dhe mbështetësit e tyre, duke vështirësuar edhe më tej situatën pragzgjedhore”, thotë Abilekaj për Deutsche Welle-n.
Për analistin tjetër të medias Robert Goro, çdo aksion, jo vetëm i opozitës, por edhe i shoqërisë civile, për të protestuar në mënyrë qytetare duhet përshëndetur. “Në mos gjë tjetër, mendoj se arrin të sensibilizojë opinionin se është e nevojshme të ketë prova të qarta që zgjedhjet e 18 qershorit do të jenë totalisht të ndershme dhe brenda gjithë standardeve europiane. Këto prova duhet t’i japë më së pari maxhoranca. Nga ana tjetër, nuk jam tifoz i largimeve nga parlamenti”.
Përsëritje e një “skenari rumun” në Tiranë?
Në bisedë me Deutsche Welle-n ai shpreh padakordësi me paralalizmat në disa media shqiptare se protesta e opozitës në Tiranë ka ngjashmëri me “skenarin rumun”. “Nuk besoj se ndodhemi para një skenari të tillë, aq më tepër objekti i protestës së Tiranës mendoj që është shumë më i rëndësishëm nga ai i protestave të fundit në Rumani. Ka dhe një arsye tjetër që më duket e kam përmendur prapë: në Shqipëri, për fat të keq, mungojnë reflekset e shëndosha të shoqërisë civile që do të mund të ngrinin qytetarët në protesta masive e të pakompromentuara nga kuverturat partiake.
Edhe Prof. Asoc. Afrim Krasniqi nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” është kundër krahasimeve të asaj që ndodh në Shqipëri dhe në Rumani. Nuk kemi skenar rumun, sepse nuk kemi qytetarë kundër sistemit të korruptuar politik, por një pjesë e sistemit politik kundër pjesës tjetër, mendoi ai. “Është një ‘déjà vu’ shqiptare, si më 2009, por në role të ndryshme dhe me axhendë thellësisht politike drejt 18 qershorit. Bojkoti i parlamentit mendoj se është i gabuar sepse dalja jashtë sistemit përfaqësues, ul fuqinë dhe besueshmërinë negociuese”. Analisti i medias Enton Abilekaj shprehet se skenari rumun është shumë larg kësaj që po ndodh në Shqipëri. “Se vetë Rumania është në një fazë shumë më të avancuar të zhvillimit të gjithashëm përfshi këtu edhe reformën në drejtësi”.
Protesta dhe konkretizimi i reformës në drejtësi
Analisti Enton Abilekaj e lidh aksionin e tanishëm me reformën në drejtësi, që sipas tij, është thelbi i asaj që po ndodh. “Protesta dhe bojkoti i opozitës, e bllokojnë implementimin e reformës. ky është një tjetër objektiv i opozitës që i ka shprehur vazhdimisht dyshimet për kapjen e institucioneve të reja të drejtësisë nga Kryeministri Edi Rama. Nga ana tjetër, sa më shpejt të zbatohet reforma, aq më shumë garanci do të ketë për zgjedhje të lira.
Por lektori i shkencave poltike ka një qasje tjetër për këtë çështje, duke besuar se opozita nuk e radikalizoi qëndrimin për shkak të reformës në drejtësi, por, siç thotë ai për shkak të kalkulimeve elektorale brenda saj dhe në raport me qeverinë në prag të zgjedhjeve. Ndaj ajo nuk mund të jetë fajtore nëse procesi i reformës në drejtësi bllokohet, thotë për Deutsche Welle-n Prof. Asoc. Afrim Krasniqi. Për Robert Goron, mungesa e opozitës nga parlamenti bllokon krijimin e komisioneve për Vetting-un dhe për këtë ai mendon se opozita është e detyruar që të bëjë një lëvizje, për t’u lënë në dorë “dopio gjashtën” atyre që e akuzojnë se e përdor protestën si alibi për të bllokuar Vetting-un.
Garancia e zgjedhjeve nga ndërkombëtarët
Në këtë situatë të polarizuar dhe ngarkuar politikisht Goro e shikon zgjidhjen tek dhënia e provave të qarta që tani se zgjedhjet do të jenë të ndershme. “Ndoshta do të mund të bëhej garant komuniteti ndërkombëtar edhe pse kjo do të ishte e turpshme për vendin dhe qytetarët”. Kurse për prof. Asoc Afrim Krasniqi palët nuk kërkojnë zgjidhje, sepse sipas arsyetimit të tij, nuk kanë interes për konsensus përpara zgjedhjeve.
“Palët duan të kundërtën, që të mos ketë zgjidhje dhe që zgjedhjet të jenë të polarizuara, me qëllim, kontestimin e palës fituese, cilado qoftë ajo. Por nëse do kërkohej zgjidhje janë dy: një mocion besimi nga qeveria në kuvend dhe paralelisht ftesa për opozitën të paraqesë ndryshimet në kodin zgjedhor me garancinë e votimit të tyre në kuvend.
Analisti i medias Enton Abilekaj e shikon zgjidhjen me kërkesën për qeveri teknike. Ai pranon se qeveria teknike nuk ka qenë zgjidhje e mirë për vendin në të shkuarën. “Por a rrezikohen zgjedhjet më shumë nga qeveria teknike që praktikisht është e pafuqishme për të kontrolluar, apo nga një qeveri që mund të blejë votën, të bëjë koncesione me mbjelljen e cannabis-it për të marrë vota, të bashkëpunojë me kriminelët për të rrëmbyer vota. Mes dy të këqijave, mendoj që qeveria teknike me mbështetjen e të gjitha forcave politike, mund të ishte zgjidhja më pak e keqe për t’i hapur rrugën një rezultati zgjedhor të pakontestueshëm, duke rikthyer normalitetin”, thotë Abilekaj për Deutsche Welle-n.
Diskutime rreth kësaj post