Atëherë kur ishin përkrahësit e Partisë Socialiste ata që pushtonin sheshet, me kërkesën për të hapur kutitë e votimit, Sali Berisha kryeministër përqeshte protestuesit, që sipas tij dilnin në shesh për shkak të dëshpërimit të “një humbësi të lindur” si Edi Rama.
Ishte gjithashtu Sali Berisha ai që refuzonte kategorikisht, kur ishte në pushtet, çdo ide për shtyrje të mundshme të zgjedhjeve, diçka që tani opozita po e kërkon gjithmonë e me më shumë forcë.
Sot, ish-Kryeministri në opozitë tradhëton qëndrimet e tij të dikurshme, duke konsideruar protestën e PD jo më një shenjë të dëshpërimit të tij dhe të Bashës përpara zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, siç shprehej dikur për kundërshtarët, por si një “revolucion mbarëkombëtar” që ka nxjerrë anembanë Shqipërisë gjysmën e popullsisë së vendit nëpër sheshe.
Lexo.al sjell një numër deklaratash të bëra nga Berisha, gjatë kohës së mbajtjes së pushtetit, në lidhje me zgjedhjet dhe me protestat.
Kryeministri Berisha: “E ftoj opozitën të dalë nga sindromi i hidhërimit dhe të vendosë urat e bashkëpunimit në interesin më të mirë të pluralizmit politik dhe të vendit” (qershor 2009, fill pas mbajtjes së zgjedhje të përgjithshme, në përgjigje të deklaratës së Ramës për parregullsi në procesin e votimit)
“Zgjedhjet do të bëhen, garantoj shqiptarët se do të jenë të lira dhe të ndershme. Zoti Rama të shtrihet përdhe, të bëjë ç’të dojë, unë zgjedhjet do t’i bëj. Ju bëni si të doni, bojkot ose jo. Unë ju ftoj të merrni pjesë, nëse ju doni të merrni pjesë jeni të mirëseardhur, nëse doni të bojkotoni, bojkotoni” – 27.12.2010
“Është normale që opozita të shohë me lupë procesin zgjedhor, unë kam mirëkuptim për këtë…. përsa i përket zgjedhjeve, nuk pranoj t’i shtyj asnjë ditë, po të doja ta bëja do ta kisha bërë” – 10.04.2009
“Partia Demokratike qëndron gjithmonë kokulur para sovranit dhe qytetarëve shqiptarë për të plotësuar kërkesat e tyre. Kjo është motoja që do na udhëheqë gjithmonë” – 14.12.2009
“Vendimi i Gjykatës është vendim dhe ata që nuk njohin rezultatin kane probleme me veten e tyre. Zgjedhjet kanë marrë certifikimin më të plotë të këtij vendi, ata që s’duan ta pranojnë kanë probleme me veten e tyre. Vendimi i gjykatës nuk mund të kthehet e përmbyset dhe as nga ai që thashë dje (Enver Hoxha), po u ngrit lugat për ti ndihmuar. Harrojeni se mund të bëhet kjo” – Sali Berisha, 22.11.2009 pas vendimit të gjykatës për moshapjen e kutive
“Të gjitha forcat politike kanë pranuar një sistem shqyrtimi ankesash ku ne nuk jemi të përfshirë. Do të pranoj çdo vendim të komisioneve të zgjedhjeve, nëse jo do ti drejtohem gjykatës. Por unë s’mund të marr vendime që s’më takojnë me ligj” – Berisha, në përgjigje të polemikave për rregullsinë e zgjedhjeve të vitit 2009
Diskutime rreth kësaj post