Nga Anri Bala
Vrasësi ka dasëm dhe ju o krushq të pafajshëm, duke shkelur zakonin dhe burrërinë, jeni të ftuar! Jeni të ftuar në “dasmën mort të katër të vdekunve të pakallun”.
Ju kam menduar krejt ndryshe, ju malësorët e mi. Kurrë nuk më ka shkuar mendja, se baballarët tuaj i’u kanë thënë se mund të shkelni mbi vorre!
As që mund ta mendoja se soj i juaj fisnik, do të përçudnonte fisnikërinë: Të kërcente dhe të harbohej mbi gurët e vorreve dhe emrat e shkruar me gjak, ende të patharë… të vëllezërve!
A thua e ke harruar se sa vlen gjaku dhe haku ti burrë malësie? A vërtetë mendon, se këta që ju keni marrë guximin gabimisht t’i poshtëroni, janë njerëz pa njerëz?! Jo hej burrë, se Zoti është i madh, e “robit i gjinet robi”!
Vërtetë mendoni se, ato jetë vlenin sa një karrige druri, e tani ju doni t’iu a ktheni përsëri plaçkën grabitësve, që akoma nuk i kanë larë duarët e gjakosura?! Kaq pak vleni, sa të shisni veten dhe fisnikërinë tuaj për një copë bukë a për një thes miell?
Natyrisht që në vendin tuaj, ditët janë të shkurtëra dhe me re, e ndoshta një jetë kaq e zymtë nuk i’u dhimbet. Por atje burrëria kushton më shumë se sa jeta, ndaj “mos shkel e t’shitofte zana mbi burrninë tane”!
Mos e shkel e t’shitofte zana e mos kce mbi varr se nuk e ke zakon! Mos bre, mos u bëj palë me vrasësin dhe hjeksin. Më dhimbesh kur të shikoj aty fisniku im i njollosur, i palarë, i parruar, jo se nuk do dhe nuk di… por nuk mundesh nga varfëria që të ka pllakosur.
Më dhimbesh kur të shoh aty të lodhur dhe të mashtruar, jo se nuk kupton por nuk ke mundësi tjetër të zgjedhësh. A thua, kaq keq është katandisur “mburrja” e vendit tim?!
Vërtetë edhe atë që dikur e kishe si gjënë më të shtrenjtë, burrërinë dhe nderin… e ke shitur. E ke shitur duke mbajtur besnikërinë e fjalës, që me zakon nuk vlen për vrasësit që nuk janë “pastruar” nga vrasjet, e që tallen me ty, e të premtojnë se do të lumturojnë dhe veshin me mirësi!
Ai, vrasësi tallet me ty, sepse e di se t’i e mban fjalën… “besa besë”. Nuk e di, si nuk shikon veten tënde të pluhurosur dhe te rreckosur, sikur sapo je ngritur nga varri, përballë fytyrave që shkëlqejnë e gati sa nuk të verbojnë të zotërinjve, që të kanë ftuar të kërcesh dhe të fyesh ato katër djem nënash, që tani më shumë se kurrë, po u rendohet shpirti e nuk po gjejnë qetësi.
Po ti bre burrë, çfarë kërkon aty mbi varret e atyre djemëve, vëllezër me rracë, me gjak e me halle… si ti?! A thua të kanë gjë borxh dhe tani po hakmerresh?!
Mos e t’shitofte zana mos luaj valle mbi shpirtin e atyre, që si ke njohur dhe as nuk të kanë njohur. Nuk është burrëri as “mahi” të bësh dasëm në varreza! Nuk është guxim dhe trimëri të tallesh me të vdekurit! Nuk është fisnikëri, por poshtërsi, që ti malësori im të bëhesh palë me krimin e pandëshkuar dhe të marrësh përsipër gjykimin e vonuar… për të dhënë drejtësi.
Vrasësit dhe hjeksi që të kanë ftuar në “dasmën mort”, nuk kanë nevojë për gjykim, sepse e kanë pranuar dhe deklaruar se do vrisnin edhe dhjetra e qindra, nëse dikush do i afrohej ta prekte karrigen e humbur që u pillte florinj… pra janë të gjykuar.
Tani që e kanë numbur, jargaviten e përloten, betohen e përgjërohen, ti ndihmosh që ta marrin përsëri. Por është shumë vonë për ta, sepse e kanë pranuar fajin dhe presin dënimin e drejtësisë, që vonon por nuk harron.
Ato të mallkuar, për të mos ardhur kurrë sahati i ndëshkimit dhe për atë karrige të lyer me gjak, të kanë thirrur ty, që të festoni si indanët, në ritet mistike, para betejës së madhe për jetë a vdekje. Ti nuk je asgjë tjetër për ata, veçse viktima e radhës e kësaj beteje, që pak gjasa ka, për të thënë aspak se, mund ta fitojnë.
Ti vërtetë o malësori im i zgjuar, ke pranuar që të tallen me ty këto derra të nginjur e të mllefosur që po bëjnë dasëm pa dhëndër?! Largohu dhe rri në varfërinë tënde dhe çohu për nderin tënd, pronën tënde, familjen tënde.
Mos u gënje, sepse ti për ata nuk vlen asgjë! Jeta jote, shtëpia jote me tokë dhe bagëti, kushton sa një unazë në gishtin tyre të mesit, në atë gisht që ata e ngrejnë sa herë kthen kurrizin ti. Ndaj, mos kce mbi varre e t’shitofte zana!/Zathur.net/
Diskutime rreth kësaj post