Protesta me turne e opozitës shqiptare për krijimin e një qeverie teknike, katër muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, ka hyrë sot në ditën e katërt, ndërsa ka marrë natyrën e një aktiviteti argëtues. Ndryshe nga dita e parë dhe e dytë, në ditën e tretë, mbështetësit brenda dhe jashtë çadrës së ngritur para Kryeministrisë, kanë qenë më të pakët. Edhe pse organizatorët e protestës kanë bërë një grafik me njerëzit e tyre, duke përcaktuar turnet që ata duhet të kalojnë në çadër, në ditën e tretë, protestës i janë bashkuar më shumë kureshtar që kalonin në bulevard.
Megjithatë, për të maksimalizuar numrin e pjesëmarrësve, opozita ka hequr dorë nga forma klasike e protestës, duke i dhënë kësaj të fundit një natyrë argëtuese. Protestuesit i kalojnë turnet duke luajtur letra, shah dhe domino, ndërsa herë pas here marrin fjalën për të mbajtur lart atmosferën dhe moralin. Po ashtu, brenda çadrës dëgjohet muzikë e lartë, ndërsa protestuesit hyjnë dhe dalin duke konsumuar pije, duhan dhe ushqime.
Organizatorët janë kujdesuar edhe për detaje të tjera, duke krijuar të gjitha kushte. Brenda çadrës janë ndezur gjatë gjithë natës ngrohëset me gaz. Herë pas here në çadër janë shfaqur kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, familjarë të tij, deputetë të PD dhe përfaqësues të tjerë të opozitës.
Opozita shqiptare ka intensifikuar kërcënimet dhe paralajmërimet në adresë të qeverisë. Deputetët e Partisë Demokratike kanë paralajmëruar dje përshkallëzimin e protestës, me qëllim detyrimin e mazhorancës që të dorëzojë pushtetin. Duke nisur që nga kryetari Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha e deri tek deputetët kanë ritheksuar dje se nuk do të ketë kthim pas në aksionin për largimin e qeverisë. Po ashtu, edhe deputetët Edi Paloka, Flamur Noka dhe Albana kanë deklaruar se protesta do të përshkallëzohet, duke se shtuar se nuk do të lëvizin nga vendi deri në realizimin e qëllimit.
Ndërkaq, deputetë të tjerë si Aldo Bumçi kanë deklaruar se nuk përjashtohen as elementet e tjerë, për të diktuar krijimin e një qeverie teknike. Nga ana tjetër, ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se do të përdoren të gjitha nga 52 format e mosbindjes civile. Opozita thotë se i ka përmbajtur protestuesit, pasi në të kundërt kryeministri nuk mund të hynte në zyrë. Me interes të madh është pritur reagimi i ndërkombëtarëve pas radikalizimit të aksionit të Pastrisë Demokratike. Ndryshe nga pritshmëritë e opozitës, faktori ndërkombëtar ka treguar një indiferentizëm të pazakontë.
Përpos një qëndrimi të raportues për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, i cili tha se opozita ka gjithmonë frikë para zgjedhjeve, faktori ndërkombëtar vijon të heshtë. Edhe pse sot protesta e PD ka hyrë në ditën e katërt, nuk ka qoftë edhe një reagim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, as në mbështetje dhe as kundër Partisë Demokratike. Heshtja e faktorit ndërkombëtar është në kontrast me lëvizjet intensive dhe deklaratat e 8 viteve më parë, kur Partia Socialiste nisi një grevë masive uri, pikërisht para Kryeministrise.
Diskutime rreth kësaj post