Përmes ambasadores Susanne Schutz, Gjermania e rikonfirmoi angazhimin e saj për t’ia mbajtur hapur Shqipërisë derën e anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndërkohë që pritet implementimi i reformave kyçe në forcimin e shtetit ligjor.
BE-ja dhe Gjermania, tha Schutz për “Tirana Times”, nuk lëkunden nga angazhimi i tyre për anëtarësimin e Shqipërisë dhe 5 vendeve të tjera të Ballkanit perëndimor, pavarësisht vështirësive me të cilat po përballet aktualisht unioni. Sfida si konfliktet e dhunshme, emigracioni, Brexit-i dhe populizmi nuk e ndryshojnë qëndrimin e bllokut në raport me rajonin dhe me Shqipërinë.
Dera e tij do të vazhdojë të mbetet e hapur, është deklarata e përfaqësueses së lartë diplomatike të shtetit gjerman. Për analistin Eamonn Butler, largimi i Britanisë nga BE-ja e kthen Gjermaninë në avokaten më të fortë mbrojtëse të rajonit, edhe pse Ballkani, me shumë gjasë, do të mbetet çështje e një rëndësie kyçe përsa i takon sigurisë së Mbretërisë së Bashkuar, pavarësisht nëse do të jetë apo jo anëtare e bllokut europian.
Diskutimet mbi influencën e jashtme në rajon janë një prej temave më të rrahura nga ekspertët, sidomos kur vjen fjala tek ndikimi rus. Një njohës shumë i mirë i problematikës së Ballkanit, Norbert Mappes-Diediek i tha DË-së se tërheqja e bllokut prej andej mund të ketë pasoja të rënda jo vetëm për rajonin, por për të gjithë Europën. BE-ja në 20-25 vitet e fundit ishte e vetmja alternativë ndaj shteteve të vogla, të cilat nuk është se ia duan shumë të mirën njëri-tjetrit, argumenton ai.
Perspektiva e hyrjes në Bashkimin Europian ka luajtur rol të madh sepse ka mbajtur të fashitura konflikte që mund të shpërthenin. Në këndvështrimin e Mappes-Diediek, fuçia e barutit nuk është Ballkani, por Europa vetë, ndërsa Ballkani është fitili i saj dhe kjo është mjaft e rrezikshme.
Diskutime rreth kësaj post