Nga Blend Fevziu – Opinion
Një prej hetuesve të qytetit të Rrëshenit kishte thirrur në zyrën e tij një burrë, familje e prekur nga regjimi komunist, i cili kish guxuar të lajmëronte 5 – 6 vetë në qytet, për vdekjen e një pastrueseje të vetmuar, e internuar. Sipas një kodi të lashtë sa jeta, ai i kishte ftuar ata pak “miq” ta shoqëronin bashkë për në banesën e fundit. Një traditë e vjetër në Shqipëri, që s’është tjetërsuar kurrë, nga asnjë regjim apo tiran. Ishte gusht i vitit 1983. Hetuesi kërciti dhëmbët, e etiketoi armik dhe i deklaroi se nëse do të merrte pjesë në varrim, do ta arrestonte që atë ditë.
– Në burg do të përfundosh qen, i kishte thirrur, duke e shtyrë jashtë pas paralajmërimit kërcënues.
Gruaja 66-vjeçare qe dërguar në varreza e vetme, me karrocën e komunales, shoqëruar nga varrmihësit, asnjë prej të cilëve s’e kishte dëgjuar emrin e saj. Quhej Musine Kokalari, e diplomuar në Romë, një prej emblemave të femrës intelektuale dhe të emancipuar shqiptare të viteve ’40 – të. Antikomuniste e vendosur, ajo kishte humbur dy vëllezërit e pushkatuar nga regjimi komunist dhe gjithë jetën, pas vitit 1945, e kishte kaluar në burg dhe internim. Kortezhi i vetmuar, ose më mirë i munguar, ishte çnderimi i fundit që regjimi komunist i bënte asaj edhe në rrugën për në varr.
Rreth 15 vjet më vonë, i njëjti person që kishte tentuar të mblidhte pak njerëz për varrimin e Musinesë, trokiti në derën e Gjykatës së Apelit për të ndjekur një problem prone, si shumë shqiptarë këto vite. Gjykimin e çështjes e kishte i njëjti hetues që e kishte kërcënuar atëherë, i konvertuar tashmë në gjykatës dhe me një karrierë për t’u pasur zili, në majat e drejtësisë së re shqiptare.
M’u kujtua dje ky detaj, që e kam lexuar në një prej gazetave kryesore diku në vitin 2003, me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së Musine Kokalarit. M’u kujtua që e kam përmendur historinë në një shkrim për ambasadorin Uithers në vitin 2008 kur bëhej fjalë për ligjin e lustracionit dhe daljen jashte drejtësisë të atyre qe kishin përgjegjësi për te shkuarën komuniste. Atyre gjykatësve dhe prokurorëve që kishin qenë pjesë e sigurimit të shtetit apo hetuesisë në vitet e diktaturës. Një ligj që s’u zbarua kurrë dhe ju lejoi me qetësi përgjegjësve direkt të atij sistemi, të ishin edhe arbitra te sistemit të ri. M’u kujtua sërish sot, ndërsa dëgjoj zhurmën që bëhet rreth Musine Kokalarit me rastin e 100 vjetorit te lindjes se saj.
Në vitin 2008 nuk i kisha ndeshur ende arkivat personale të Hoxhës, në një dokument të të cilave, kur e venë në dijeni se Pen Club International kishte kërkuar lirimin e Musine Kokalarit si një shkrimtare e burgosur për bindjet e saj, diktatori përgjigjet: ende gjallë rruspia?!
Nuk i kam dhënë dot kurrë përgjigje urrejtjes së Hoxhës dhe drejtuesve komunistë për Musine Kokalarin. Një urrejtje që nuk u shua as në ditët kur ajo nuk përbënte më asnjë rrezik, nuk kishte asnjë zë publik, ndërsa komunistët ishin në kulmin e pushtetit të tyre. As në kohën që u diagnostikua me kancer dhe kishte fare pak ditë jetë, por edhe atëherë ja ndaluan mjekimin në Tiranë. Në ditët e fundit para vdekjes ajo shkruajti këto fjalë të trishta, që ngjajnë edhe si testamenti i saj:
“Njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special. Njoha 18 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej-këndej. Njoha punën e punëtorit me normë individe, njoha punën e krahut me normë kolektive në bujqësi e ndërtim. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit. Nganjëherë them me vete se nuk fitova gjë që mbeta gjallë. Kam 38 vjet që nuk e di ç´domethënë familje. Ndoshta do të ishte mirë të kisha mbyllur sytë njëherë e përgjithmonë. Kështu merrnin fund edhe vuajtjet, me gjithë gjendjen tragjike…”.
Kokalari ndërroi jetë duke lënë fjalë që ato pak gjëra personale që mund të vlenin t’i jepeshin muzeut të Gjirokastrës. Ashtu siç kishte lënë testament Mithat Frashëri që gjithë pasuria e tij të kalonte për Institutin e Albanologjisë kur të ngrihej.
Sot 100 vjet nga lindja e saj, nderimi ndaj Musine Kokalarit është nderim ndaj gjithë atyre që e deshën këtë vend. Që e deshën me gjithë shpirt dhe e deshën të lirë. Por nderimi i Kokalarit apo kujdo tjetër, është i paplotë, kur shumë nga masakruesit e saj nuk janë ndëshkuar kurrë. Si në rastin që rrëfeva në fillim të shkrimit ata mund të jenë ende në sistemin e drejtësisë, mund të kenë qenë në parlament e mbase edhe në qeveri. Pra kanë qenë persona të nderuar. Një vend nuk mund t’i nderojë të dyja palët njësoj. Edhe të persekutuarit edhe persekutorët. Një vend dhe një shoqëri e tillë është thjeshtë një shoqëri hipokrite. Një shoqëri që s’do mësojë kurrë nga e shkuara e saj dhe as nga momentet e errëta që e kanë shoqëruar.
Nëse nuk keni kurajo ta bëni këtë; nëse nuk e kuptoni që përgjegjësit apo ndihmësit e një sistemi kriminal janë ende mes nesh dhe qëndrojnë gjithë aty, me po atë respekt, atëherë mos e shqetësoni më Musinenë. Lëreni të prehet e qetë. Kur nuk ditëm ta respektonim në gjallje, mos e vdisni për së dyti, duke vënë të flasin për të e ta kujtojnë ata që e vranë dikur…
Diskutime rreth kësaj post