Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave vendosi shtyrjen e afatit të përdorimit të bonove të privatizimit deri në fund të vitit 2018.
Afati i përdorimit të bonove të privatizimit përfundoi në 31 dhjetor të vitit 2016, ndërsa në projektligjin e sjellë në Kuvend ky afat kërkohej të shtyhej deri në fund të këtij viti.
Por, zëvendësministri i Financave Erion Luçi kërkoi shtyrjen më tej të këtij afati, konkretisht 31 dhjetori i vitit 2018 me argumentin se në procesin e privatizimit të pronës shtetërore vazhdon të mos jenë përfshirë akoma një numër i konsiderueshëm objektesh shtetërore.
Kryetari i Komisioni Erion Braçe kërkoi që brenda vitit 2018 ministria e Financave të paraqesë një strategji të përdorimit të bonove të thesarit, ku të përfshihen objektet shtetërore ku mund të përdoren bonot e thesarit, vlerën e bonove të thesarit që janë përdorur deri tani dhe atyre që janë ende në treg.
Për herë të parë në treg janë hedhur bonot e privatizimit 22 vite më parë, në vitin 1995. Projektligji i miratuar vjen në kuadër të lehtësive që u janë krijuar ish-pronarëve të truallit në procesin e privatizimit të pronës shtetërore, të cilët gëzojnë të drejtën e parablerjes në këtë proces, si dhe në procesin e legalizimit të ndërtimeve informale nëpërmjet ALUIZNI-t.
Diskutime rreth kësaj post