Fillon që të marrë jetë projekti për ndërtimin e 17 shkollave të reja në kryeqytet, duke i dhënë zgjidhje përfundimtare mësimit me dy turne.
Në ambientet e shkollës “Fan Noli”, Bashkia e Tiranës nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit e Sportit për projektin e ndërtimit të 17 objekteve të reja arsimore në Tiranë, ndërkohë që 3 shkolla janë në proces ndërtimi, duke e çuar në 20 numrin e tyre. I pranishëm në këtë aktivitet ishte Kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj dhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.
Kryeministri Rama vlerësoi se përmes kësaj marrëveshje, materializohet një fazë e gjatë përgatitore dhe çelet rruga për një ndër kantieret më të rëndësishëm të programit të rilindjes urbane, kantieri i ndërtimit të 20 shkollave të reja, të 20 shkollave që do të bëjnë më në fund diferencën pas 25 vitesh vështirësi prej mbipopullimit dhe mbingarkesës.
“Më vjen mirë që me Bashkinë e Tiranës sot lançojmë një projekt që është model i parë i projekteve të programit tonë 1 miliard dollarë për rindërtim, 1 miliard për rindërtim është një program që do të bëjë të mundur realizimin në një kohë shumë të shkurtër të atyre veprave që për ndryshe do donin një kohë shumë të gjatë si pasojë e pamundësisë së arkës së shtetit për ti financuar. “1 miliard investime është një program që do të sjellë shumë më afër të ardhmen në raport me disa nevoja jetësore shumë të rëndësishme për infrastrukturë arsimore, shëndetësore, infrastrukturë rrugore të niveleve të ndryshme dhe nga ana tjetër do t’i jap një shtysë të jashtëzakonshme ekonomisë dhe punësimit”, tha Rama.
Kryeministri tha se ky projekt i nisur nga Bashkia e Tiranës lajmëron nisjen e transformimeve të mëdha.
“Ajo që ne bëjmë dhe që sot bashkia e Tiranës prezanton si dallëndyshja e parë siç i takon të jetë, që lajmëron një situatë të re transformimesh të mëdha, jo vetëm infrastrukturore, por edhe ekonomike dhe sociale, është një ndërveprim intensiv me sipërmarrjen dhe bankat për të siguruar që me të njëjtat para që Buxheti i Shtetit do të investonte në 20 vitet e ardhshme sepse aq janë mundësitë për të ndërtuar në këtë rast 20 shkiolla të reja Bashkia e Tiranës, të mund të ndërtohen këto 20 shkolla të reja dhe në 20 vitet e ardhshme Buxheti i Shtetit shlyerjen e këtij investimi”, tha ai.
Kreu i Bashkisë deklaroi se për të pasur sukses në arsim, përveç përkushtimit të stafit të mësuesve, është tepër i rëndësishëm edhe krijimi i kushteve të përshtatshme. “Infrastruktura nuk është gjithçka, por gjithsesi infrastruktura është diçka. Të ardhurit në një ambient të pastër, të ardhurit në klasa me hapësirë, të ardhurit në një ambient që ka estetikë, të ardhurit në një ambient që ka kushte minimale të dinjitetit njerëzor sigurisht që e bën më të lehtë misionin për të shërbyer në shkollat, në kopshtet dhe në çerdhet tona”, tha ai.
Kryebashkiaku deklaroi se vitin e parë Bashkia e Tiranës u detyrua që të shlyente 60 për qind të borxheve të mëparshme, ndërsa për një vit e gjysmë u mundësia dhe ndërtimi i një sërë çerdheve, kopshteve dhe i këndeve të lojërave për fëmijët. “Vetëm në një vit e gjysmë arritëm që në një kohë rekord, sigurisht me një bashkëpunim fantastik me sektorin privat, rezultati në fakt në Tiranë ishte fantastik. Ne arritëm që brenda 1 viti e gjysmë të kemi 35 çerdhe, një pjesë të rikonstruktuar nga bashkia, të tjerat me donatorë, kryesisht banka, kompani celulare dhe aktivistë të tjerë të komunitetit që vendosën të ndajnë një pjesë të fitimit të tyre me Bashkinë e Tiranës. 35 çerdhe, 26 kopshte dhe 10 kënde lodrash”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku deklaroi se ky projekt është në një vijë me vizionin e qeverisë për të investuar 1 miliard dollarë në 3 vitet e ardhshme në investime të tilla publike që injektojnë para në ekonomi dhe injektojnë punësim. Kreu i Bashkisë së Tiranës u shpreh se falë këtyre projekteve të nisura në Tiranë, janë punuar mbi 10 mijë qytetarë direkt dhe 20 mijë të tjerë indirekt. “Vetëm në Bashkinë e Tiranës, në mënyrë direkte në të gjithë këto kantiere janë punësuar mbi 10 mijë njerëz dhe dy vende pune për secilin vend që është hapur në ndërtim. Dhe 20 mijë vende pune mbështetëse nga furnitorë dhe nënkontraktojë. Besoj se është kollaj se çfarë ndodh kur projekte si ky i shkollave apo i banesave të subvencionuara injektojnë në ekonomi respektivisht 60 milionë dhe 40 milionë euro në ekonominë e Tiranës”, tha ai.
Veliaj deklaroi se modeli i zgjedhur për këto shkolla është i duhuri që nuk rëndon financat. “Kemi ndërtuar gjithashtu një model financiar i cili nuk i rëndon financat e bashkisë. Ne do të vazhdojmë të shpenzojmë të njëjtën shumë që kemi për merementimin e shkollave dhe ndërtimin e shkollave të reja, por kësaj here këtë do ta përkthejmë në një pagesë me këste vjetore për ndërtimin e këtyre shkollave të reja të cilat do t’i marrim në përdorim që vitin e parë dhe në dorëzim në 7 vitet e ardhshme”, tha ai.
Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla vlerësoi punën e kryeashkiakut Veliaj për qytetin e Tiranës dhe për përmirësimin e infrastrukturës arsimore.
“Bashkia e Tiranës e ka fatin të lidhur me mësuesit dhe mësueset, sepse ndërton qytetin, ndërsa mësuesi ndërton qytetarët. E lexova këtë status të Erionit, për të ndarë një mirënjohje dhe një lëvdatë të madhe, punëve të Bashkisë së Tiranës, Erionit posaçërisht. Gjithçka shkollat sot kanë nevojë, jo vetëm për të funksionuar si shkolla qendra qytetare, por për të funksionuar si shkolla qytetare, pikërisht me sjellje dhe shprehi, qëndrime që ka nevojë qytetaria e Tiranës. Kam një lëvdatë të madhe gjithashtu në emër të mësuesve dhe të shkollave për Erion Veliajn, për gjithçka ka mundur të sjellë përmes modelit të tij të punëve dhe jo të fjalëve, për mbështetjen që u jep fëmijëve në nevojë, transport cilësor të mësuesit dhe nxënësit, e gjithë Bashkisë së re të Tiranës”, tha Nikolla.
Krahas këtyre 17 shkollave që pritet të fillojnë ndërtimin, aktualisht janë edhe tre shkolla duke u ndërtuar me fonde të Bashkisë së Tiranës. Aktualisht nga 191 shkolla që ka qyteti i Tiranës, 61 prej tyre janë mbi kapacitet dhe 57 shkolla të tjera ku studiojnë 14 200 nxënës që bëjnë mësim me dy turne. Standardet për planifikimin e shkollave të reja kanë marrë parasysh numrin e shkollave në bazë të popullsisë, rrezen e mbulimit si dhe numrin e nxënësve për klasë.
Ku do ndërtohen shkollat
Në njësinë nr. 2 do ndërtohen dy shkolla 9-vjeçare dhe një shkollë e mesme.
Në njësinë 5 do të ndërtohet një shkollë 9-vjeçare.
Në njësinë 7, një shkollë e mesme.
Në njësinë 8, një shkollë 9-vjeçare dhe një shkollë të mesme.
Në njësinë 9, një shkollë 9-vjeçare dhe një shkollë të mesme.
Në njësinë 11, dy shkolla 9-vjeçare dhe një shkollë e mesme.
Në njësinë Dajt, një shkollë e mesme tek zona e Freskut që është më shumë Tiranë sesa zonë rurale e Dajtit.
Në njësinë Farkë, një shkollë 9-vjeçare pranë zonës së Kopshtit Zoologjik i njësisë 5 sepse është më shumë zonë e njësisë 5 sesa e Farkës
Në njësinë Kashar dy shkolla 9-vjeçare dhe një shkollë të mesme, kryesisht tek zona e Unazës së Re dhe të Astirit që sërish është më shumë zonë urbane sesa zonë rurale.
Diskutime rreth kësaj post