Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar në lidhje me kërcënimin me jetë që një i pandehur i ka bërë në sallën e gjyqit një prokurori të Krujës dhe ka arsyetuar se sulmet e fundit publike (pra ato të ambasadorit Lu) ndaj organit të akuzës, janë bërë shkas që shumë persona me precedentë penalë të shantazhojnë dhe kërcënojnë prokurorët vendas.
Edhe pse gjithkush e di që kërcënimet ndaj prokurorëve janë “pjesë e punës” së përditshme të tij, Prokuroria e Përgjithshme ka gjetur rastin që të sulmojë edhe një herë ambasadorin Donald Lu.
“Nisur nga kjo situatë, Prokuroria e Përgjithshme shpreh angazhimin e plotë për mbështetjen e çdo prokurori të Republikës që ushtron detyrën në përmbushje të plotë të ligjit dhe Kushtetutës.
Gjithashtu, Prokuroria e Përgjithshme do të vijojë të kërkojë me forcë nga të gjithë folësit publikë që të tregojnë maturi kur komentojnë punën e prokurorëve. Për shkak të sulmeve publike, prokurorët tashmë janë kthyer në subjekte të shantazhit dhe kërcënimit nga persona që përballen me ligjin për veprat penale që kanë kryer…
Prokuroria e Përgjithshme, duke ritheksuar mbështetjen e saj për Reformën në Drejtësi, vlerëson se fjalori kundër prokurorëve, i përdorur për të justifikuar ndryshimet ligjore, ka demotivuar këta të fundit, të cilët, gjithsesi po vijojnë të përfaqësojnë denjësisht shtetin në proceset penale për persona të përfshirë në vepra penale- shkruhet në njoftimin e prokurorisë.
“Në seancën e zhvilluar ditën e djeshme në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, prokurori ka paraqitur konkluzionet për djalin e shtetasit N.Ç, i akuzuar për veprën penale të “Prodhimit dhe shitje të lëndëve narkotike”, në bashkëpunim, dhe u kërkua dënimi me 8 vjet burgim. Në përfundim të seancës gjyqësore, shtetasi Nazmi Çangu 56 vjeç ka kërcënuar me jetë prokurorin, per shkak se ky i fundit kërkoi dënimin e të birit në bazë të provave”- njofton më tutje prokuroria.
Diskutime rreth kësaj post