Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka takuar në Bruksel homologun e Belgjikës Frederic Van Leeuw, ku kanë folur mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në çështje me rëndësi globale.
Fokusi kryesor i bisedës së tyre, ishin masat e marra për luftën kundër terrorizmit.
Gjithashtu Llalla ka informuar prokurorin belg lidhur me punën që po bën shteti shqiptar për të luftuar dhe minimizuar rastet e rekrutimit të shqiptarëve në konfliktet e armatosura në Lindjen e Mesme.
Prokurori Federal i Belgjikës i ka shprehur Llallës shqetësimin që i vjen nga grupet kriminale shqiptare në vendin e tij.
Van Leeuw dha informacion mbi grupet e ardhura nga Shqipëria dhe që ushtrojnë veprimtari të paligjshme në shfrytëzimin e prostitucionit apo edhe të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Lidhur me këto shqetësime, Llalla siguroi se Prokuroria, edhe institucionet e tjera ligjzbatuese, do të bashkëpunojnë për të minimizuar këto probleme.
Pjesë e diskutimeve mes tyre mësohet se ka qenë edhe ish-deputeti socialist Mark Frroku, i cili është akuzuar nga autoritetet belge për një vrasje në territorin e saj.
Diskutime rreth kësaj post