Eksportet shqiptare, të cilat prej vitesh vuajnë përqendrimin e lartë në strukturën e tyre dhe me vendet partnere së fundmi, pësuan goditje nga forcimi i monedhës vendase, lekut.
Në ecurinë e indekseve nominale dhe reale të këmbimit, ndikim të rëndësishëm ka edhe mbiçmimi i lekut ndaj lirës turke dhe renminbi-t kinez, sipas raportit të fundit të qeverisë të programeve ekonomike. Në harkun kohor të një viti, leku është mbiçmuar ndjeshëm ndaj këtyre monedhave me 15% dhe 9% përkatësisht.
Nisur nga pesha e transaksioneve tregtare me këto dy vende (rreth 10.6% secila), ndikimi i zhvillimeve të këtyre monedhave ka një kontribut vjetor rreth 2.5 pikë përqindje në ecurinë vjetore, analizon qeveria shqiptare në një raport përmbledhës të zhvillimeve ekonomike të vitit të kaluar që do t’i raportohet Komisionit Europian nën mbishkrimin ”Programi i reformave ekonomike 2017-2019”.
Ministria e Ekonomisë ka analizuar se, zhvillimet në kursin e këmbimit gjatë vitit 2016, nuk kanë favorizuar konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare. Monedha vendase është vlerësuar në terma realë, duke vazhduar tendencën e shfaqur në muajt e fundit të vitit edhe më 2017.
Deri në muajin nëntor 2016, indeksi Kursit Real Efektiv të Këmbimit (KREK) është reduktuar mesatarisht me 3.6% në vit. Mbiçmimi vjetor real i lekut ndaj monedhave të shportës reflekton më së shumti mbiçmim e tij ndaj pothuajse të gjitha monedhave kryesore, ndërsa diferenca e inflacionit me vendet partnere ka ardhur duke u ngushtuar.
Në ndryshim nga pjesa e parë të vitit 2016, mbiçmimi i lekut ndaj monedhave të shportës ka reflektuar mbiçmimin e fortë të Lekut kundrejt monedhave të dy partnerëve tregtarë, Kina dhe Turqia.
Eksporti i mallrave është karakterizuar nga një tendencë rënëse gjatë 2016, një ecuri e nisur që prej gjysmës së dytë të vitit.
Gjatë vitit 2016, kompanitë shqiptare shitën jashtë vendit 243.5 miliardë lekë (rreth 1.8 miliardë euro) mallra, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT. Në raport me vitin e kaluar, eksportet kanë shënuar rritje të papërfillshme prej vetëm 0.1%, duke shënuar vitin e dytë radhazi me një performancë të dobët. Gjithsesi, pas një gjysme të parë të vitit me tkurrje, që arriti deri në -8%, pjesa tjetër e vitit ishte më pozitive, duke rikuperuar këtë humbje. Sektori që mbajti në këmbë eksportet tona ishte ai i “tekstile dhe këpucëve”.
Grupi me performancën më të mirë ishte ai i “tekstileve dhe këpucëve”, që punon kryesisht me material porositësi. Eksportet e tij arritën në rreth 107 miliardë lekë, me një rritje me bazë vjetore prej 18%. Ka qenë performanca e mirë e këtij grupi, që ka mbajtur eksportet në këmbë përgjatë gjithë vitit. Eksportuesit pohojnë se ka një rritje të kërkesës nga partnerët e huaj, kryesisht ata italianë, teksa dhe kompanitë shqiptare kanë ecur mirë, sidomos ato të këpucëve, në drejtim të mbylljes së ciklit dhe rritjes së vlerës së shtuar.
Diskutime rreth kësaj post