Nga Pëllumb Kulla, TemA
Të qoftë i lehtë dheu që të hodhën përsipër, o njeri, por më e lehtë të qoftë balta, që e paktë ishte vërtet, por rëndesa e saj është mizore.
Po ti bëre mirë që vdiqe dhe na jep rast neve, që të deshëm, të duam dhe të nderojmë, që të merremi me të, sepse dheut nuk kemi se ç’i bëjmë.
Vdekja jote, o Dritëro, na jep përparësi të themi edhe ne ato që nuk i thamë dot në të gjallë, ngaqë ti i dole zot vetë kaq e kaq herë. Por në krahasim me ty ne jemi edhe më të zemëruar, sepse ti ishe i vdekur. Dhe të vdekurit nuk zemërohen, paçka se ato që t’u thanë në vdekje janë njëqind herë më revoltuese, më shpifëse, më të padrejta, më të ndyra dhe më makabre. Më të shumtët nga ata që të shanë ishin të paemra, anonimë, ca edhe me gjysmëemra, por që të gjithë njësoj demagogë, njësoj sokëllitës, njësoj uluritës, njësoj mallkimtarë të diktaturës.
Çfarë thanë për ty, mund të t’i kishin thënë edhe sa ishe gjallë, edhe bile teksa lëngoje në shtrat. Do të të kishin gjallëruar, do të të kishin ngritur në këmbë, më mirë se çdo doktor e çdo medikament! Aq revoltuese ishin.
Por pritën sa të vdisje.
Zhburrat mezi i presin vdekjet se ndihen më komodë pa atë njeri që shajnë. Vdekjet u vijnë për mbarë njerëzve që shkruajnë trimëritë e veta, që mbushin memuarët si ua do qejfi, që shtrembërojnë dhe pikturojnë ca realitete, që të vdekurit nuk ua kundërshtojnë dot.
Ti nuk i kundërshton dot teksa janë duke të thënë që ishe një nga pinjollët më të rëndësishëm të diktaturës! Ti, o Dritëro, paske qenë Luciferri i botës së letërsisë, muzikës dhe pikturës. Ti, thonë ata, ishe koburja vrastare me të cilën Enveri vriste shkrimtarët dhe artistët, se ty diktatura të merrte pëlqimin, – dhe ti e jepje! – për çdo burgim dhe pushkatim! Ti këto mund të mos i kesh ditur as vetë, bile këta që të vërsulen të egërsuar as t’i faktojnë dhe as t’i dokumentojnë këto. E nuk ndjejnë nevojën për fakte e dokumenta! Phë! Ata duan që ti të kesh qenë ashtu, e ti nuk thua dot jo, se nuk gjen në historinë e njerëzimit asnjë të vdekur që të thotë një jo, pasi ka dhënë shpirt.
Ca bëjnë bè, – dhe nuk kanë pikën e turpit, – se ti veç gjysmën e kohës rrije në Lidhjen e Shkrimtarëve, se gjysmën tjetër e harxhoje në Ministrinë e Brendshme, duke firmosur urdhëra arrestesh e varjesh në litar!
Të rreshtojnë me zell lista mëkatesh me emra shkrimtarësh dhe artistësh që ti duhej t’u dilje për zot, sepse ishe çoban i tyre dhe të deshin të protestoje, se ata po dënoheshin për faje që ndëshkonte diktatura por ti duhej të betoheshe se kjo nuk ishte e vërtetë.
Dhe këta që të fajësojnë, o i dashur Dritëro, janë bashkëkohësit e tu. Nuk janë çunakë të rritur tani kur shahen ndyrazi pa ferrë në këmbë, pushtetarë të gjallë e të vdekur.
Fajësuesit e tu janë demagogë të paskrupull, që nuk të shajnë ty se i paske lënë në baltë, ngaqë kur kishin dalë të protestonin se po varej poeti Avzi Nelaj, po burgosej Minush Jeroja, apo syrgjynosej Spahivogli të prisnin t’u dilje në krye ti, me grushtat e tua përpjetë. Nuk ka rëndësi që ata nuk dolën për protesta hiç dhe as u pat vajtur në mend ajo gjë. Ta kërkojnë ty atë heroizëm!
Në atë kohë viheshin përpara skuadrës së ekzekutimit, ministra e kryeministra, komandantë repartesh partizane dhe partizanë të thjeshtë, por asnjeri nuk i kërkon asnjeriu që t’i kishte shpëtuar ata. Ty të kërkohet të kishe shpëtuar shkrimtarët! Unë, me stilin e kërkesës së Artur Zhejt, do t’i kërkoja Themie Thomajt, Ministres së Bujqësisë, të kishte shpëtuar nga burgu tërë bujqit dhe blegtorët! Por ata e fisnikërojnë kërkesën ndaj teje dhe bile, të duan të kishe shpëtuar eshtrat e Fishtës që u flakën në Bunë, të mbroje poetët që ty të bënin hije dhe ata që nuk ta rrezikonin famën hiç!
Ty, o i ëmbli poet, të kërkojmë tani që vdiqe, të kishe vdekur nja 50 vjet më parë në sheshin Skënderbej, t’i vije flakën vetes si Jan Palaku çek, në mbrojtje të shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë!
***
Por kjo nuk është veçse një zhurmë e poshtër, demagogjike, reaksjonare dhe antikombëtare. Këta shkurtabiqër që nuk bëjnë dot as hije mbi dhè e kanë dashur Shqipërinë e asaj kohe një shkretëtirë me thatësirë të zgjatur, me diell të ashpër, pa hije dhe pa oaze. Këta kërkojnë ca hije për staturën e tyre të shëmtuar duke u çjerrë tani se e deshën Shqipërinë e atëherëshme pa një Ismail dhe pa një Dritëro. Për nevojat e tyre diabolike ata ulurijnë të pakënaqur që vendi i tyre kishte vjersha dhe këngë! Meqë ishte diktaturë deshën që njerëzit të mos qeshnin, të mos mrekulloheshin nga pikturat, të mos përloteshin nga këngët e trimërisë! Nuk deshën këmbë aktori nga ata që të linin me gojë hapur, këngëtarë që i deshën dy dhe tri herë para se të largoheshin. Këta i deshin mësuesit të mos u tregonin bukuritë e gjuhës shqipe nxënësve, arsimtarë që të kundërshtonin programet e të mos i vinin shkollarët e vegjël të bënin hartime për luftën, të mos recitonin vjersha për qingjat, për malet me borë, për Partinë dhe për Enverin.
Këta maskarenj e dijnë fare mirë se po kërkojnë të pamundurën!
E kërkojnë tani dhe nuk guxuan ta kërkonin atëherë, jo më në Zërin e Rinisë, por as në një kafenè.
Këta të kujtojnë ata gazetarët amerikanë që Ilia Ehrenburgut, shkrimtarit, që vinte nga vendi i sovjetëve, pasi Stalini në një fushatë të egër pat vrarë dhe shfarosur mijëra e mijëra shkrimtarë dhe gjeneralë, kur shkeli në aeroportin e Nju Jorkut e pyetën: “Po ty zotëri që na zbret nga Moska, a nuk të vjen turp që ke mbetur gjallë?!” Poetët tanë të shquar kanë shkruar vjersha e poema që edhe unë nuk do të desha t’i kishin shkruar, por ata nuk mund të bënin pa to. Në historinë e Europës së qytetëruar nuk pat shpëtuar nga këto haraçe as Gëtja, as Betoveni, as Pushkini dhe as Molieri. Shkrimtari gjerman Bertolt Breht ka shkruar një esse të tërë për “dredhitë që duhen për të thënë të vërtetën” Këtyre poetëve tanë brilantë, udhëheqësi dhe partia e tij ua deshën vargjet si oksigjenin. Por vargjet e tyre nuk ndryshuan asnjë mendje dhe nuk shndërruan asnjë urrejtje në dashuri. Dredhia e këtyre dy mjeshtërve në dhënien e haraçit, bëri që ata të kapnin lartësira dhe mundësira të nxirrnin vepra që mbeten në visaret e kombit, ua bëri voli që të ushqenin shpresën popullit, lartësuan gjuhën e bukur shqipe, lëvruan alegoritë e “Kalit dhe Gomarit” dhe të kinezërive të importuara tek “Koncerti” Këta autorë madhorë u bënë pararendësit e demokratizimit të shoqërisë së asfiksuar shqiptare.
Korpusi i artë i veprave që bënë, do të ndrisë në shekuj dhe pastaj, në shekuj, asnjeri nuk do t’u shtrojë më kurrë kërkesa të marra dhe idiote për ato që nuk bënë dot.
Vende të tjerë në botë kanë patur shkrimtarë që i kanë bërë ballë më me trimëri diktaturave. Atyre vendeve këta tanët, ua kishin zili jo shkrimtarët, por diktaturat.
***
Në këto ditë zije dhe unë pata publikuar ca kujtime dhe me keqardhje përballa me durim ca sulme të paemrash që ndynin veprën dhe emrin e Agollit. Bile, pa pritur të vdisja, nuk mënuan të më sulmonin dhe mua, një krijues modest, që nuk pata shkruar as “Nënën Shqipëri” dhe as “Përse mendoheshin malet.” Me fraza parafabrikate më fusnin, me të drejtë, në kategorinë e shkrimtarëve të “realizmit socialist”, por nuk më nxinin dot me asgjë. I vetmi mëkat ishte kategoria, ajo që më përkiste, meqë kam botuar afro njëzet vëllime, dhjetra drama dhe komedi e qindra komedijëza skenike dhe televizive. Dhe unë duhet të skuqesha për to?! Dhe nuk duhet të më thuhet mirë dhe të falenderohem për tërë emocionet e mira, gazet dhe buzëqeshjet, që kam shkaktuar, unë “shkrimtari i socrealizmit?!” E nëse nuk paskam asnjë mëkat “komunist” faji qënka emri në atë listë? Qënka faj të të kenë sjellë hyjnitë të kesh jetuar nën diktaturë?! Mirë, atëherë:
Po ti, o kritizeri im i pafytyrë dhe ju, o kritizerë pa gravitet tokësor, që kërkoni heroizmat e shkrimtarëve të “realizmit socialist”, mirë që nuk turpëroheni që nuk keni emra, por nuk ju vjen turp që nuk na kryet ju vetë një akt heroik?! Akti heroik nuk ka nevojë as për emra, që ju nuk i keni, as për stilograf, as për penel dhe as për piano e violina. Do t’ju kërkoj atë që i kërkoni Dritëroit dhe Ehrenburgut:
Nuk ju vjen turp që keni jetuar në diktaturë?! Dhe as që keni mbetur gjallë nuk ju vjen turp?!
Diskutime rreth kësaj post