Nga Artan Fuga
U kujova se automobilin e kisha lënë në një buzë trotuari ku të nesërmen në mëngjes do ta kisha vështirë ta nxirrja, aq të ngjeshura ishin veturat me njera tjetrën. Dola në mbrëmje vonë, pak para mesnatës për ta vendosur në një vend parkimi më të përshtatshëm.
Bëja para e pas për ta nxjerrë veturën, por disi preka veturën para meje dhe atë pas meje. Nuk kishte asnjë mundësi tjetër.
Te dritarja e veturës u afrua një burrë i ri rreth të tridhjetave, pinte duhen me cigaren në buzë. Jashtë ishte ftohtë, kallkan. Jakën e një xhupi të vjetër e mbante ngritur. Fillimisht kujtova se mos ishte i zoti i autoveturës përpara, të cilën e kisha prekur fare lehtë.
Por, jo. Djaloshi kishte dëshirë të më ndihmone. Bënte me dorë të ecja sa para mbrapa dhe më drejtonte. Falë tij e nxorra veturën nga kurthi. Pasi dola e falenderova. “Nuk ka gja !” – tha ai dhe bëri me dorë sa për ta hedhur pas krahëve ndihmën e tij.
Por, unë nuk e lashë. “Je roja i parkingut, or mik!”
“Jo, fare!” më tha shkurt dhe bëri të ikte.
“Por cfarë bën natën në këtë të ftohtë, vetëm?”
“Kam ardhur nga Malësia e Madhe. Kam mbërritur në të errur. Kam punuar për bosin e madh të gurores, nja dhjetë ditë. Kam ardhur t’i kërkoj paret e pagës. Kështu më tha atëhere: Nuk i kam tani, por hajde ndonjë ditë në Tiranë.”
“I more?”
“Jo. I fola në telefon sapo arrita, por linja m’u pre. I telefonova përsëri nga telefoni i një njeriu të panjohur, se unë nuk kam telefon he burrë, por nuk m’u përgjigj më. A mund ta marrësh në telefon nga celulalri yt? “
“Tani?”
“Po!”
I dhashë celularin, por ai më tha se kishte shkruajtur një numur në një copë letër të zhubravitur që e nxorri andej nga e kishte zhytyr thellë në xhepa.
Nuk dinte ta lexonte numurin, as të formonte atë në tastjerën e telefonit.
Unë bëra sikur i telefonova bosit të tij. Si mund ta telefonoja në atë orë të natës? Pastaj bosi do ta rregjistronte numurin tim të telefonit dhe me të mund të më pillte belaja!
“He nuk përgjigjet?” – më pyeti me sytë me lotë djaloshi.
“Jo!”, i thashë unë gënjeshtari i poshtër.
“E lene nuk ka gja, do t’i shkoj në zyrë nesër në mëngjes” – foli butë nga goja e tij.
Dhe bëri të ikte.
Por, nuk mund të ikja unë.
“Ku do të flesh? “
“Nuk e di, ku me fjet, ja kështu rrugëve!”
“Kaloje natën në ndonjë kafene sa mos të ngrish:”
“Me pas lekë për kafene, nuk vija me kërku lekët këtu!”
“Më prit !” i thashë. Vajta në shtëpi dhe i solla një biletë njëmijë lekëshe.
Ai, i panjohur, ngurroi.
“Ku të gjej nesër me ta shly borxhin sa të marr lekët te bosi?”
Ai kujtonte me naivitet se të nesërmen vërtetë bosi do ta paguante.
O pastërti e naivitetit të hallexhiut!
“Ik o burrë, nuk ke gjë borxh. I ke shpërblim se më ndihmove që nxorra veturën.”
“Jo.” – tha dhe nuk deshte të ndahej. “Unë të ndihmova pa interes.”
Unë u largova duke e përshëndetur. Doja të ikja sa më parë nga ai vend ku toka çahej, binin tërmete brejtjesh, dilnin llava vullkanesh fajësish, shqyheshin fjalët.
Ika të flija në të ngrohtë.
Unë dhe bosi i tij, të dy ne njerëz të poshtër do të flinim.
Ai me siguri gjithë natën, jashtë, në kallkan, duke pritur t’i jepnin rrogën e punës në gurore.
Duke kërkuar bosin në telefonat e të panjohurve në rrugë.
Diskutime rreth kësaj post