Ministra që flenë tek hoteli i Klement Balilit me dashnoret. Shefa policie që kanë fshehur skedën e Balilit. Një kryeministër që kërcënon gjyqtarët me telefon, që merr vendime qeverie pa mbledhur ministrat.
Kurrë më parë, asnjë ministër i Republikës nuk është larguar nga posti i tij me akuza kaq të rënda sa ato që ka artikuluar Ylli Manjani në konferencën e tij të fundit për shyp. Ai ka thënë se edhe sikur kjo të jetë dita e tij e fundit në politikë, ai nuk mund të pajtohej me një qeveri të kanabizuar. Sipas Manjanit, që mbahet mend se në politikë nuk e ka pasur problem të thotë gjithçka dhe të kundërtat e tyre, ai u largua nga qeveria pas deklaratës se ushtria duhet të ndërhyjë kundër hashashit.
“U shtuan presionet kur bëra deklaratën për kanabisin. E bëra atë deklaratë si qytetar i shqetësuar. Nuk kisha asnjë paragjykim dhe asnjë prapamendim. Kryeministri u nervozua dhe shtyu dy ministra të reagojnë kundër meje. Të gjithë ata ministra më shkelin syrin, por kanë frikë të flasin. Që pas asaj situate është shtuar presioni jo ndaj meje, por ndaj kryetarit të Kuvendit për largimin tim. Unë e di pse. Nuk është rastësi që bashkohet emri im me dosjen e Klement Balilit. Ndërkohë që në Tiranë lidhej emri im me Klement Balilin, ministrat flinin me dashnoret te Santa Quaranta”, tha ai.
Ai theksoi se për këto akuza faktet i kanë shërbimet e huaja. “Mos m’i kërkoni mua, i kanë shërbimet e huaja të gjitha këto”, tha ai.
Manjani shtoi se ndihet i nderuar që është i shkarkuar.
“E dini ju që në 30 dhjetor qeveria ka marrë një vendim pa u mbledhur. Shikoni TIMS, shumica e ministrave ishin jashtë shtetit. Si mund të jetë dakord ministri i Drejtësisë me këtë çështje? Këto janë historitë. Këto janë ndarjet parimore”.
Ai tha se shërbimet e huaja i kanë kërkuar në fakt Ramës shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe jo shkarkimin e tij.
“Në fakt, shërbimet e huaja, që kanë prova për lidhjet e policisë me krimin, i kanë kërkuar Ramës që të shkarkojë Tahirin. Por ja që më shkarkuan mua”, tha Manjani në konferencën për mediat në orën 13:00.
Ai hodhi akuza të rënda edhe për Ardian Çipën, i cili sipas tij ka pasur akses në bazën e të dhënave të Interpolit, ku ka parë edhe skedën e Balilit. Por sipas Manjanit, ai e ka mbajtur të fshehtë këtë gjë. /Lapsi
Diskutime rreth kësaj post