Nga Enver Robelli
Albert Rösti është kryetar i Partisë Popullore të Zvicrës (SVP). Qëllimi i kësaj partie është ruajtja e Zvicrës nga «rreziqet e jashtme dhe të brendshme». Domethënë: SVP është kundër integrimit të Zvicrës në Bashkimin Europian dhe kundër ardhjes së pakontrolluar të të huajve në Konfederatën Helvetike. Në shikim të parë kjo nuk duket diçka problematike. Por vetëm në shikim të parë. Sepse mënyra se si SVP lufton praninë «e tepërt» të të huajve në Zvicër dhe si zhvillon fushata kundër «atyre në Bruksel» është herë skandaloze, herë e tmerrshme.
Albert Rösti ka folur tani në një konferencë për media në lidhje me referendumin që do të mbahet më 12 shkurt: atë ditë qytetaret dhe qytetarët do të vendosin nëse gjeneratës së tretë të të huajeve, mes tyre shumë italianë dhe shqiptarë, do t’u jepet shtetësia zvicerane me procedurë të lehtësuar.
Rösti tha se nga perspektiva e sotme kushtet për shtetësi i plotësojnë para së gjithash italianët, por – dhe këtu rrëshqiti kryetari i SVP-së – ligji do të jetë në fuqi edhe pas 20 vitesh dhe atëherë – kuku! – nga kjo normë do të përfitojnë edhe afrikanët. «O tmerr. Zezaku. Njeriu nga xhungla. Njeriu i zi dashakeqës. AFRIKANI», shkruan gazeta «Tages Anzeiger» në një koment të ashpër kundër gjuhës raciste të Röstit, duke i sugjeruar kryetarit të SVP-së që të mos lodhet duke përmendur fjalën afrikan, por të flasë hapur për «rrezikun nga zezakët». Kështu shefi i SVP-së do të fliste pa maskë.
Siç nënvizon «Tages Anzeiger» në Zvicër «kategorizimi i të huajve në të mirë dhe të këqij ka një traditë të gjatë. Në vitet ’50 hungarezët e përndjekur shikoheshin si njerëz të sjellshëm dhe italianët si racë e rrezikshme, e cila ua merrte zviceranëve punën dhe gratë. Deri më sot politika bën dallimin mes migracionit të dëshiruar dhe të padëshiruar. Mes të huajve që rrisin mirëqenien dhe atyre që gërryejnë mirëqenien».
Si asnjë komunitet tjetër shqiptarët i kanë provuar fushatat e egra, ksenofobe të Partisë Popullore të Zvicrës. Që në këtë vend ka, aty-këtu, shqiptarë që votojnë për SVP-në është vetëm konfirmim i rregullit të çrregullt: racistët dhe ksenofobët nuk kanë asnjë problem të bashkëjetojnë. SVP ka kundërshtuar njohjen e pavarësisë së Kosovës, një taliban alpin dhe deputet i SVP-së më 2010 ka kërkuar tërheqjen e pranimit të pavarësisë së Kosovës nga Berna, në fund të viteve ’90 SVP e pati mbuluar qytetin e Zürichut me posterë me këtë sllogan: «Kosovo-Albaner. Nein.», jo shqiptarëve të Kosovës.
Atëbotë SVP kundërshtonte autoritetet e qytetit, të cilat donin të ndanin 100 mijë franga për një organizatë humanitare, e cila këto para do t’i investonte në integrimin më të mirë të familjeve shqiptare në shoqërinë zvicerane. Kur në verën e vitit 2011 dy hajvanë shqiptarë sulmuan dy zviceranë në një kafehane në Interlaken (kantoni i Bernës) dhe njërin e lënduan me thikë në fyt, për SVP-në ky ishte një rast ideal për një fushatë të re kundër shqiptarëve, kundër kosovarëve, kundër kosovo-shqiptarëve. «Kosovarët therin zviceranët». Ky sllogan «stolisi» mijëra posterë në mbarë Zvicrën. Marrëzinë e dy shqiptarëve të Kosovës e paguan 200 mijë shqiptarë të tjerë.
Më 12 shkurt të drejtë vote kanë edhe mijëra shqiptarë me pasaportë zvicerane. Ky është një rast i mirë jo vetëm për të votuar për ligjin, i cili u mundëson shumë të rinjve, edhe shqiptarë, të marrin shtetësinë e Zvicrës me procedurë të lehtësuar. 12 shkurti është një rast i mirë për t’ia treguar kartonin e kuq SVP-së. Akutalisht kjo parti është duke bërë fushatë kundër ligjit të ri për shtetësi me posterë, ku shihet një grua me burka dhe pranë saj pyetja sugjestive: «Dhënia e shtetësisë në mënyrë të pakontrolluar?» Burka, myslimanët, arabët – kështu SVP përpiqet t’i frikësojë votuesit, ndonëse nga ligji përfitojnë ata që në Zvicër kanë pasur gjyshin, prindërit dhe vetë kanë lindur në këtë vend. Pra, kryesisht italianët, shqiptarët dhe ballkanas të tjerë.
Diskutime rreth kësaj post