Të premten në Washington mbahet ceremonia e inaugurimit të presidentit të ri amerikan. Nga bota e jashtme janë të ftuar vetëm diplomatët. Çdokush tjetër që thotë se është i ftuar «nga Donald Trump», gënjen e mashtron po aq sa është i madh Washingtoni. Dëshira për të gënjyer në mesin e politikanëve të Ballkanit është më e madhe se kryeshehri i Amerikës.
Të shkosh në Amerikë. Një ëndërr e madhe. Sidomos kur je politikan ballkanik. Kur dyshohesh për korrupsion. Kur në raporte të policive perëndimore të përmendin në kontekst të krimeve të rënda, kur je i dyshuar si blerës i votave, manipulues zgjedhjesh, hajdut që kurdis tenderë. Të tillë janë shumica e politikanëve ballkanikë që këto ditë rrejnë opinionin pa pushuar: «Na ka ftuar Trumpi, na ka ftuar Trumpi, na ka ftuar Trumpi». E Trumpi aq shumë e ka të qartë ku është Europa, saqë e ngatërroi Donald Tuskun me Jean-Claude Junckerin. Në një intervistë për gazetën gjermane «Bild» Trump tha: «Më ka telefonuar një zotëri i sjellshëm nga BE». Nuk e dinte Junckeri apo Tusku? (Përndryshe: polaku Donald Tusk, presidenti i Këshillit Europian, para zgjedhjeve në SHBA kishte thënë: «Mjafton një Donald»).
Trumpi nuk e njeh Donald Tuskun, as Jean-Claude Junckerin, kryetarin e Komisionit Europian, por gjithsesi e njeh shumë mirë sheikun nga Skrapari Ilir Metën. Natyrisht i njeh edhe të gjithë palaçot politikë të rajonit të etur për famë. BIRN, një portal serioz i lajmeve nga Ballkani, zbuloi se Ilir Meta i paguan 15 mijë dollarë në muaj një firme në Washington për të bërë reklamë për të. Për ta prezantuar ndryshe. Shumë më ndryshe se nga prezantimi që i bëri gazetarja e guximshme e «Zërit të Amerikës», Ardita Dunellari, e cila e pyeti Metën se a ndihet i prekur me faktin se shumë shqiptarë kanë marrë rrugët e emigrimit, ndërsa ai dhe klasa politike në Shqipëri shfaqin një nivel jetese tepër të lartë – ndryshe nga popullsia në vend. Shoku Ilir M. u bë sikur s’po kuptonte gjë. Dhe i nevrikosur tha: «Nuk e di për çfarë luksi e keni fjalën?! Unë nuk kam as makinë personale pasi këtë ma siguron shteti. Unë nuk e kuptoj se si ju merrni përsipër të flisni në emër të të gjithë shqiptarëve, por gjithsesi mua më vlerësojnë shqiptarët».
Shqiptarët nuk e vlerësojnë Ilir Metën. Klientët po. Që ai i sheh të gjithë shqiptarët si klientë është problem po aq i tij sa edhe i shqiptarëve. Pyetni shqiptarët e thjeshtë nga Kukësi në Leskovik sa e vlerësojnë Ilir Metën. Pyetni ata që kërkojnë azil në Gjermani. Pyetni ata që pas sirianëve zënë vendin e dytë me kërkesa për azil në Gjermani. Pyetni. Atëherë do të mësoni të vërtetën. Atëherë do të kuptoni se shqiptarët jetojnë në planetin e varfërisë, ndërsa sundimtarët e tyre si puna e Ilir Metës në planetin e luksit grotesk.
Të premten në Washington mbahet ceremonia e inaugurimit të presidentit të ri amerikan. Nga bota e jashtme janë të ftuar vetëm diplomatët. Këtë e thotë qartë, shkurt, anglisht dhe kuptueshëm edhe për diletantët një njoftim i Departamentit të Shtetit. Çdokush tjetër që thotë se është i ftuar «nga Donald Trump» gënjen e mashtron po aq sa është i madh Washingtoni. Dëshira për të gënjyer në mesin e politikanëve të Ballkanit është më e madhe se kryeshehri i Amerikës. Gënjeshtra dhe mashtrimi, korruptimi dhe ryshfetdhënia janë mënyrë e jetesës së një pjese të madhe të politikanëve ballkanikë.
Kur shkon Ilir Meta në Washington, përse të mos shkojë edhe Dragan Markoviq Palma, ish-kryetari i Jagodinës, një qytet në Serbi. Palma ka konfimruar për mediat serbe se gjendet në kryeqytetin e Amerikës. Sebepi? Diçka në lidhje me Trumpin. Gazeta e Beogradit «Politika» njofton se Palma ka arritur nga lumi Morava e Madhe (Velika Morava) te lumi Potomac në Washington. Meta ka shkuar nga Osumi i Skraparit te Potomacu i Amerikës. Kjo është një e arritur e madhe për njerëzimin. Meta po thotë se e ka ftuar Trumpi. Dragani i Jagodinës po thotë me pak më shumë sinqeritet: «Hotelin e kam të paguar, por e sigurt është se Trump nuk ka dhënë urdhër personalisht (<lično>) të më ftojnë mua». Çfarë shteti joserioz është bërë Amerika me këtë president: Trump e fton Ilir Metën personalisht, por jo Dragan Palmën, bash Draganin e Jagodinës, në biografinë e të cilit shkruan se karrierën prej biznesmeni e nisi duke i ndihmuar babait në pjekjen e tullave. Atëherë, gëzuar inaugurimi i presidentit të ri amerikan – të gjithë kokëtullave.
Para inaugurimit të presidentit amerikan në Washington mbahen disa ballo. Kush e ka kuletën e trashë, kush ka qasje në buxhetin e shtetit, ai mund të blejë një biletë për të hyrë aty. Palma, për shembull, e ka udhëhequr komunën e Jagodinës me vite të tëra si oligark i vogël me ambicie të mëdha. Si shef i një partie minore ka arritur të luajë rol edhe në politikën nacionale të Serbisë. Por më së shumti Palma ka prodhuar tituj për gazeta me sukseset e mëdha në Jagodinë. Ishte i pari kryetar komune mes Parisit dhe Pekinit që hapi një kopsht zoologjik. Para 50 kryetarëve të komunave të Serbisë kishte thënë se me hapjen e kopshtit zoologjik Jagodina i ka plotësuar të gjitha kushtet për të hyrë në Bashkimin Europian.
Një sukses i madh ishte edhe dasma që organizoi për të birin, Darkon, krenarinë e babait, me ç’rast në fshatin Konçarevo afër Jagodinës u therën 100 derrkucë dhe 100 qengja, ndërsa rakia, vera e birra rrodhën si lumë. Aty nuk mungoi as Ceca, këngëtarja e preferuar e Dragan Markoviq Palmës, ambasadori rus, ish-zëdhënësi i Slobodan Millosheviqit, Ivica Daçiqi, me një fjalë aty ishte krejt prominenca e suxhukut. Kur Palma e martoi djalin, Vojislav Shesheli ishte në Hagë. Por u lajmërua me telefon – dhe urimi i tij ngjalli entuziazëm, brohoritje e duartrokitje në sallë.
Kështu fillojnë karrierat e mëdha. Nga një aheng në Jagodinë me 100 derrkucë dhe 100 qengja drejt në Washington. Çfarë na mëson kjo? Asgjë. Dhe gjithçka. Për Ballkanin dhe mënyrën se si popullistët nuk ngurrojnë të përdorin të gjitha mjetet dhe të gjitha kuletat për t’u rrezitur nën «madhështinë» e presidentit të ri amerikan, për të cilin të premten fillon kursi intensiv në politikën botërore.
Shkuarja e Palmës në Washington ka rikthyer në rrjetet sociale në Serbi një episod nga e kaluara, kur Palma kishte thënë: «Më pëlqen të dëgjoj… nga vendorët… Cecën. Vetëm t’ua them. Mua nuk më kanë bërë muzikë dhe kënduar vetëm Beethoveni dhe Chopini, sepse kam qenë i vogël, por s’ka artist të estradës, të folklorit apo argëtues që nuk më ka kënduar në ambient prej dy, tri metrash». Me fjalë të tjera Palmës vetëm Beethoveni dhe Chopini nuk i kanë kënduar te veshi. Por ndoshta i takon në Washington pas audiencës te Donald Trumpi.
Marrë nga Dialog Plus
Diskutime rreth kësaj post