Nga Poli Hoxha
Tani që jemi futur më të kthjellët në vitin 2017 pas fashitjes së festës së ndërrim viteve, mund të hedhim sytë pas dhe të shohim se si ishte për shqiptarët viti që lamë.
Është e dhimbshme por edhe plot shpresë, kur shikojmë që 2016-ta shqiptare ishte një qenie që as nëpër mitet e krijuara nga fantazitë më pjellore të popujve të lashtë, nuk është krijuar dot. Një qenie hibride, e njëjtë si shqiponja që kemi në flamur, si ajo me dy koka, por njëra e bukur që shkëlqen dhe tjetra me të gjitha karakteristikat e një përbindëshi.
Ky engjëll-djall u rrit gjatë vitit që iku në të njëjtën tokë, mes dhe nga njerëz me të njëjtin gjak e të vetmen gjuhë, që s`ka të dytë.
Shqipëria e përbindëshit
Depresioni, zhgënjimi dhe humbja e shpresës ishin “mbretërit” e Shqipërisë 2016-ë. Pas 3 vitesh që kur ju premtua “Rilindja”, shumica pa qartë se ishte mashtruar. Projekti i Edi Ramës mbështetur fortë në patericën e stërvitur të Ilir Metës, rezultoi një parajsë për pakicën “profesioniste” dhe një katastrofë, për popullin “dembel”.
Ekonomia shkoi në fund, pasi taksat u rritën me shpejtësi. Klasa e mesme u çmontua me egërsi, duke i rritur taksat të cilat ushqyen një buxhet në funksion të fasadave dhe oligarkëve, klientë të qeverisë.
Skema e koncesioneve të dyshimta që nuk prodhojnë asnjë vend pune, asnjë shërbim më cilësor se më parë, mund të quhet “kryevepra” ekonomike e Edi Ramës. Asnjë piramidë financiare nuk do të kishte mundur të realizonte në mënyrë kaq të shpejtë dhe të pastër, vjedhjen e taksave të një populli të tërë, i cili fillimisht u detyrua ti paguajë ato me hir e pa hir nën parullën; po bëjmë shtet. Miliarda që mungojnë në rrugë, spitale, shkolla e vende pune vitin që shkoi, mbushën llogaritë bankare të një grushti njerëzish, që nuk bëhen as sa gishtat e duarve.
Populli shqiptar vërtetoi edhe në vitin 2016, se kokulësia është një nga “cilësitë” e rralla që ka dhe me të cilën, sundimtarët e tij mund të vazhdojnë të mburren edhe në vazhdim.
Kanë mjaftuar pak ditë me shi të rrëmbyer, që përmbytjet të përsëriten, mijëra shtëpi, bagëti, të mbjella e biznese të shumëzohen me një zero të madhe. Tani presin në radhë kryeministrin, që pak muaj përpara fushatës tu shpërndajë plot krenari çeqe të turpshëm dëmshpërblimi, njësoj sikur është kryetari i komisionit të një kompanie lotarie. E marrin me kokë ulur dhe shumë prej tyre, bëjnë gati shuplakën e qershorit që vjen, e cila sërish do të bjerë mbi faqen e tyre.
Viti që shkoi do të mbahet mend, edhe për korrupsionin që u kthye në mënyrë qeverisjeje e pasurimi për sektin që drejton Rilindjen e koalicionin dhe në mënyrë mbijetese për shumicën.
I paharruar do të jetë 2016-ta, për mijëra maturantë që nuk zgjodhën dot ëndrrën ku ishin investuar dhe për viktimat e shëndetësisë, ku kontrollin e bën falas, kurse vdekjen e paguan.
Por përbindëshi- 2016, që u rrit me shpejtësi në Shqipëri, na bëri edhe më shumë të njohur nëpër botë.
Në mes të Europës themeluam fermën më të madhe të parë ndonjëherë, të kultivimit të hashashit. E gjithë bota e pa dhe e raportoi jeshilllëkun masiv të Rilindjes, përveç liderit të saj që i dukej si fushë e mbjellë me patate.
Gjatë vitit që shkoi, kryeministri i vendit bëri shumë liderë të vendeve të tjera të gajasen me shakatë e tij të kripura dhe skuqi miliona faqe shqiptarësh nga turpi. U tall edhe Aleksandër Vuçiç, duke e quajtur “lider botëror” ndërkohë që edhe për një linjë elektrike Shqipëri-Kosovë, as që e llogarit.
Falë këtij lideri që nuk ngjan si askush, që nuk është as majtas as djathtas, që kur duhet të bëjë politikanin bën piktorin e së fundmi poçarin, vendi ynë në vitin 2016 u bë kryelajm në mediat më të mëdha botërore. Tentoj të martohej me një mashkull dhe pagoi një dorë të mirë parash, vetëm e vetëm për një fotografi me presidentin Obama. Kulmin e arriti kur u përdor në mënyrën më të padenjë për kreun e një shteti, në fushatën presidenciale në SHBA. Nëse jashtë kufijve shkakton habi dhe të qeshura, turpin e përjetojnë shqiptarët kudo që janë.
Fytyra e zezë e Shqipërisë në vitin që shkoi u bë edhe më e frikshme dhe dëshpëruese, nga eksodi biblik që nuk ndodhi në këto përmasa në një hark kaq të shkurtër kohor, as pas çlirimit nga telat me gjemba 50-vjeçar.
Nuk ishte parë ndonjëherë, që familje me të rinj, pleq e fëmijë, fshatra të tërë, të ktheheshin në muhaxhirë në mes të Europës e t`ja mbathnin nga vendi i tyre, pa e ditur se çfarë i priste matanë kufijve. Motoja; të ikim se nuk ka më keq se kaq keq sa jemi, u bë dhe vazhdon të jetë epidemike. Kush nuk e ka provuar ta realizoj, nuk e heq dot nga mendja.
Ata ja arritën dhe mund të jenë krenarë e tua tregojnë fëmijëve dhe nipave në vitet që vijnë; Në vitin 2016 shqiptarët ishin në vend të dytë në botë si popull emigrator. Mbi 28% e popullsisë shqiptare e braktisi vatrën e shtëpisë, thotë raporti i fundit i Forumit Ekonomik Botëror. Vetëm sirianët që gjenden mes luftës më të egër dhe të paprecedentë në histori, “na e kalojnë”.
Është e vështirë ti numërosh të gjitha vragat e shëmtuara në fytyrën e mostrës shqiptare 2016, por le ta mbyllim me goditjen që ju dha edhe njëherë ëndrrës 25 vjeçare, për tu futur në shtëpinë e ndritshme të Bashkimit Europian.
Për ato që thamë më lart dhe shumë e shumë të tjera që tashmë nuk i dinë jo vetëm shqiptarët, vendi ynë ose më saktë kjo qeveri që kemi, sërish dështoi për hapjen e negociatave për anëtarësim, duke na futur me shpresë të vrarë edhe në vitin 2017.
Por nuk është kjo kokë përbindëshi, që përfaqëson Shqipërinë reale, atë të individëve. Kombi ynë ka ditur gjithmonë veçanërisht në periudha të errëta, që të krijojë edhe një fytyrë tjetër, atë të shqiptarëve që nuk dorëzohen dhe shkëlqejnë duke ngritur lart krenarinë e të qenit shqiptarë.
Shqipëria e ndritshme
Gjatë vitit 2016, u shfaq botërisht ajo kokë dhe imazh i Shqipërisë së ndritshme, kur ne shkëlqyem si komb e si kombëtare në Kampionatin Europian në Francë. Qindra milion europianë panë se si ishin shqiptarët e vërtetë dhe se sa të denjë janë, që edhe ata të jenë pjesë familjes së tyre të madhe, pavarësisht nga pakica që i nxin dhe shëmton.
Në vitin që iku ne i dhamë botës plot krenari, një humaniste dhe shenjtore të madhe. Ajo ishte një nga miliona shqiptarët që nuk jetoi asnjë sekondë për para dhe pushtet, por për dinjitetin e saj, të gjithë njerëzimit dhe të kombit që i përkiste.
Ne i treguan botës fytyrën tjetër atë të vërtetën, edhe kur shqiptarja e talentuar dhe me famë botërore, sopranoja Ermonela Jaho, me përunjësi dhe modesti morri çmimin Royal International, ose Oskarin e muzikës operistike. Por edhe një brez të rinjsh në muzikë dhe futboll na kanë dhënë shkëlqim nëpër botë, si Bebe Rexha, Dua Lipa, Rita Ora, Era Istrefi, Elseid Hysaj, Etrit Berisha vëllezërit Xhaka, Xherdan Shaqiri. Admir Mehmedi etj.
Të gjithë shqiptarët shkëlqyen, kur mirëpritën vitin që shkoi më shumë turistë nga gjithë bota pavarësisht se Rilndja nuk ka lëvizur as gishtin e vogël në këtë sektor. Ishte kjo mikpritje, e cila nuk gjendet e tillë gjëkund në botë, që e vuri Shqipërinë në qendër të mediave më prestigjioze të botës, duke e renditur sistematikisht ndër 10 vendet më të mira të vitit. Dhe mos harroni, pikët jepeshin për mikpritjen e njerëzve të thjeshtë dhe bukuritë natyrore.
Kjo ishte pak a shumë në një vizatim të shpejtë, “Shqipëria 2016”; Me dy koka në një trup të drobitur nga lufta që errësira i bën dritës pa mëshirë.
Diskutime rreth kësaj post