Kryeministri Edi Rama duke folur sot në konferencën e fundvitit u shpreh se, “ekonomia e 2016-ës është pa asnjë dyshim, referuar shifrave dhe fakteve aspekti më kuptimplotë i një procesi reformash që kanë filluar të çelin rrugëne re në drejtimin e duhur”.
“Kemi një ekonomi që rritet në mënyrë të qëndrueshme, sipas të gjithë parashikimeve do të mbyllet këtë vit me një rritje mes 3.3% dhe 3.5%”, tha Rama.
“Nëse i referohemi pikës së hallit nga u nisëm me 0, diçka përqind kemi shënuar periudhën e një kthese kuptimplotë, por nëse i referohemi ambicies tonë jemi ende larg ambicies tonë me 5% rritje ekonomike”, u shpreh Rama.
Ky, vijoi Rama, “është viti që e përktheu këtë ndryshim thelbbësor me apostimine 100 milionë dollarëve nga shteti në arkat e familjeve me anë të rritjes së pagave dhe pensioneve”.
Rama u ndal edhe tek dëmshpërblimi i banorëve të përmbytur si dhe zerimi për kamatëvonesat e energjisë për familjet në nevojë dhe pensionistët.
“Qeveria jonë nuk harron askënd dhe nëse mundësitë nuk janë për t’u përgjigjur në çast, pa dyshim kur vjen momenti, ne japim përgjigje. Këtë mund ta dëshmojnë të gjitha familjet që papritur marrin dëmshpërblimin për pasojat e përmbytjeve”, tha Rama.
Duke folur për investimet e huaja, Rama u shpreh se, “Ky do të jetë viti me volumin më të lartë të investimeve të huaja në Shqipëri në 25 vjet ndryshe nga kukuvajkohet për rënie investimesh të huaja, për vende të tjera në rajon që na tregojnë se sa mbrapa jemi. Jemi në vitin e më të mirë të investimeve të huaja. Meqë na është marrë shembull, Maqedonia është shumë më ulët për vëllimin e investimeve të huaja direkte. Ky është fakt.
Ndërsa sa i përket vendeve të punës, Rama tha se, ” Vetëm në rrjetin e zyrave të punës në Shqipëri kemi 37 mijë vende të lira puna. Nuk i thashë të gjitha këto për të thënë sa i kënaqur jam por sa i pakënaqur jam, pasi potenciali është i jashtëzakonshëm. Në këtë drejtim shkon edhe investimi prej 1 miliard eurosh vitin e ardhshëm, gjë që nuk ka ndodhur më parë, me një injektim që nga zona e bregdetit të jugut, Qarku i Vlorës, Gjirokastra, Berati dhe zona lart e Thethit, ashtu sikurse edhe në infrastrukturën rrugore me impakt të zhvillimit në funksion të bujqësisë ku do të fokusohemi në dy territore në Qarkun e Fierit dhe të Elbasanit”.
Sa i përket investimeve në shkolla dhe spitale, Rama tha se, “synohet rindërtimi i 100 shkollave për të përmbyllur përfundimisht nevojën për infrastrukturë evropiane. Fokusi kryesor ndërtimi i një spitali ekselent rajonal në Fier dhe në ndërtimin e 10 qendrave shëndetësore në gjithë republikën e Shqipërisë.
I pyetur për Marrëdhënien me FMN, Rama tha se nuk do të ndërpritet. “Do të hyjmë në një fazë të re. Programi tjetër do të ketë një natyrë krejt të ndryshme”, tha Kryeministri.
I pyetur nëse rritja e pensioneve dhe dëmshpërblimet janë për qëllime elektorale, Rama theksoi se, “Askush nuk dyshon kush i fiton zgjedhjet e ardhshme. Ne nuk kemi arsye të marrim masa për të afruar zgjedhësit me politika elektorale. Është hera e parë në historinë e 25 viteve që qeveria shqiptare nuk përgatit një buxhet elektoral. Është një buxhet që ruan në mënyrë strikte të gjithë parametrat në funksion të ambicies sonë për të ardhmen. Ambicia jonë nuk e ka kufirin në 18 qershorin që vjen por diku më larg. Fakti që dhamë këtë paketë është kuptimplotë jo se janë zgjedhjet por se reformat kanë filluar të japin rezultate”.
I pyetur për ligjin e dekriminalizimit dhe vendimet e fundit të KQZ-së, Kryeministri Rama tha se mazhoranca nuk do të bëhet pengesë në asnjë çast për dekriminalizimin. “Për mua, procesi i dekriminalizimit ka përfunduar ditën kur kemi votuar ligjin. Janë institucionet që duhet të zbatojnë ligjin dhe jo frymëzimi të shkuarës që përkthehet shumë rëndomt në gjueti shtrigash. Unë nuk bëjë gjueti shtrigash. E kam neveritur dhe një nga arsyet pse i jam kundërvënë atij regjimi ka qenë gjuetia e shtrigave. Ligji është aty dhe institucionet duhet ta zbatojnë. Nuk do t’i bëhemi në asnjë çast pengesë zbatimit të këtij ligji. mbledhja e djeshme dha një shembull kuptimplotë të këtij vullneti parimor, ashtu sikurse dha një shembull të hipokrizisë të PD-së dhe drejtuesit të saj që tjetër thonë, tjetër bëjnë. T’i tregojnë shqiptarëve që në rastin e parë e shkelën ligjin dhe si ka mundësi që për ta kur vjen puna tek vetvetja ligji është i pavlerë”.
I pyetur për sistemin shëndetësor dhe premtimine shëndetësisë falas, Kryeministri Rama theksoi se, “Sistemi është aty, por ende ka diskutime nëse është i plotë. Është një proces dhe për të shkuar tek shërbimi universal duhen krijuar një sërë mekanizmash. Konkretisht, mjeku i familjes ishte me pagesë janë falas, tarifat janë 5-6 herë më të lira. Ka ende tarifa, por janë më të ulëta në 25 vite. Janë tarifa minimale. Kjo nuk nënkupton se jemi në përmbushje të objektivit. Në 2017, 600 mijë njerëz të pasiguruar do të marrin falas të gjithë ilaçet e rimbursueshme njësoj siç i marrin të siguruarit. Për të shkuar tek mbulimi i plotë universal na duhet paraprakisht të kemi dy gjëra: e para të kemi një pasqyrë statistikore plotësisht të konsoliduar të gjendjes shëndetësore të popullsisë, gjë që kemi filluar me chek-up-n falas dhe e dyta protokollet kostosh të çdo kure në shërbimin shëndetësore. Nëse e shohim në raport me pikënisjen jemi drejt përmbushjes së premtimit’.
Sa i përekt punësimit Rama u shpreh se, “187 mijë 854 punonjës sot janë plus në sektorin jo bujqësor. Dua po ashtu t’ju them se nuk jam duke pretenduar se nuk ka në Shqipëri një problem të madh të papunësisë, por jam duke thënë se është ulur, natyrisht jo në përmasën që ne duam”.
I pyetur për kandidimin si deputet sërish në Vlorë, Rama tha se, “Unë di që kush ka lidhje me Vlorën, nuk e harron dot asnjëherë edhe kur spostohet nga Vlora siç ka ndodhur me time më. Vlora është gjithmonë e parë”.
Ndërsa i pyetur për zgjedhjen e Presidentit, Rama tha se, “shprehja e ambicieve më duket kohë e humbur. Nuk kemi republikë presidenciale dhe presidentin e ri do ta vendosë Aleanca për Shqipërinë Evropiane. Ju siguroj jo që nuk jemi keq për një emër, por do të kemi mundësi të diskutojmë me koalicionin.
I pyetur për ndërtimin e rrugës së Arbrit, Kryeministri Rama theksoi se Rruga e Arbrit do të nisë të ndërtohet në fillim të vitit të ardhshëm. “Rruga e Arbrit do të fillojë para mbarimit të mandatit dhe do ta mbarojë unë si kryeministër që do të vazhdoj pas 18 qershorit. Në pranverë do të kemi kontratën me fituesin e garës dhe do të nisim rrugën e Arbrit. Patjetër, procedurat kanë të papritura pasi ka ankime. Si deputet i Vlorës më është dashur të zvarritem për Lungo Maren dhe lumin e Vlorës. Sidoqoftë, Rruga e Arbrit është me procedurat e Shtetit shqiptar, gjysma e vitit të parë të vitit të ardhshëm do të nisim punën”, tha Rama.
I pyetur për koalicionin me LSI, Rama tha se koalicioni me Lëvizjen Socialiste për Integrim është strategjik. “Për mua, përgjigja është e qartë; partneriteti i PS-së dhe LSI-së nuk është partneriteti im me Ilir Metën. Ne jemi drejtuesit që i japim këtij partneriteti strategjik formën e koalicionit. Është një domosdoshmëri shoqërore për vendin për të pasur dy parti dhe një forcë të madhe progresive të qendrës së majtë që bën reformat që ka bërë, pastaj dallimet, defektet janë gjëra të cilat janë absolutisht të rëndësishme por nuk janë arsye për të vënë në diskutim partneritetin strategjik. Aspaketet taktike janë të diskutueshme. Për ne nuk ka nevojë taktike të bëjmë sikur nuk duam, për LSI-në është taktikë e pranueshme por partneriteti për mendimin tim është përtej meje dhe Ilir Metës. Thelbi është që Shqipëria ka vuajtur kur kjo forcë ka qenë e ndarë. Ilir Meta mendon se koalicioni me PD-në ka qenë i suksesshëm, unë mendoj se ka qenë vuajtje për Shqipërinë, jo për shkak të LSI-së, e kundërta që thotë PD-ja. Ata nuk dinë të bëjnë shtet. PD është një forcë që nuk ka raport të shëndetshëm me shtetin dhe i vetmi institucion është Sali Berisha, të gjitha të tjerat janë relative. Kjo është e vërteta. Më thoni një reformë reale që ka bërë PD në funksion të shtetit. Më thoni një sektor kur ne nuk gjetëm gërmadhat e mos reformimit”.
I pyetur për shtyrjen me dy vite të ligjit të ri për lojërat e fatit qe parashikonte zhvendosjen e tyre jashtë zonave urbane, Kryeministri Rama u shpreh se, “Nuk jam unë kontrollori i lojrave të fatit. Nuk ia kam dalë të imponoj këtë bindje në një mazhorancë parlamentare që është e përbërë nga bindjet e tyre. Kemi arritur të bëjmë një disiplinim, të ndalojmë hemoragjinë e tmerrshme që vinte nga informaliteti dhe abuzimet masive por nuk ja kemi dalë. Unë jam që në Shqipëri nuk duhet të ketë salla lojrash por në këtë pozicion nuk jam unë shumicë e mjaftueshme për ta bërë ndryshim”.
Diskutime rreth kësaj post