Intervistë e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhënë për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu
Z.Meta, a jeni person që e ndjeni atmosferën e festave, pra hyni në atmosferën festive?
Padyshim, po të kesh fëmijë le të themi pak të vegjël, gjithmonë do ta ndjesh këtë atmosferë dhe kjo ka filluar që në fund të muajit nëntor me vendosjen e pemës.
Është ajo atmosfera që krijojnë fëmijët, por kur keni qenë fëmijë vetë z. Meta, ka qenë një Shqipëri ndryshe në fakt me shumë mungesa dhe me shumë privacione…
Atëherë, jo një muaj para, por një vit para mendohej për Vitin e Ri, për bakllavanë, gjelin, etj.
Si ka qenë viti 2016 për ju? Gjithmonë është momenti në një kohë të tillë që të bëhet një bilanc për vitin. A ka qenë 2016-ta një vit i mirë?
Ka qenë një vit interesant, i veçantë në shumë aspekte, një vit me sfida.
Cilat kanë qenë momentet më të vështira të 2016-s për ju apo momentet kur jeni ndjerë më në siklet ose në një lloj sfide?
Nga ana politike për shkak të angazhimit, sigurisht që momenti më i vështirë dhe më i mirë ka ndodhur në më pak se 24 orë. Pra, nga mbrëmja e 20 korrikut në të gdhirë të 21 korrikut e deri pasditen e 21 korrikut për të shkuar te mesnata, momenti kulminant i reformës në drejtësi.
Pse ishte kaq intensiv ky 24 orësh z. Meta?
Padyshim, sepse ishte një reformë që duhet të behej me konsensus ose që do të instalonte një konflikt politik afatgjatë për vendin dhe nuk do të arrinte asnjë qëllim të reformës në drejtësi, që kërkonte e gjithë shoqëria shqiptare. Pra, ose do të legjitimonte themelet e kësaj reforme ose do të legjitimonte në një farë mënyre një konflikt të pafrenueshëm më pas.
Ju luajtët një rol në atë që mund të quhet gjetja e konsensusit, në fakt dua t’iu bëj një pyetje tjetër që nuk ka shumë lidhje me politikën. Si shpjegohet që ky vend mund të gjejë konsensus aty-këtu, por nuk mund të gjejë konsensus për gjëra të tjera të mëdha, tej reformës në drejtësi? Si shpjegohet që vendi është vazhdimisht në konflikt? Ju jeni sot një prej politikanëve më afatgjatë në vend, një prej atyre që keni dalë që në dhjetor të 90-s dhe vazhdoni karrierën politike, shumë pak kanë mbetur të tillë pavarësisht moshës…
Është për të ardhur keq, sepse vendi ka nevojë për disa kolona afatgjata të stabilitetit dhe të zhvillimit të tij, si nga ana ligjore e institucionale ashtu edhe nga ana e ekonomisë apo qoftë edhe e kulturës. Pak më parë se të vihesha në dispozicion tuaj takova një personalitet të njohur të komuniteteve fetare në vendin tonë, i cili më shprehte shqetësimin se përse veprojmë vazhdimisht në presionin e momentit dhe nuk i kushtojmë pak vëmendje mbrojtjes, konservimit të disa vlerave afatgjata kombëtare, që i shërbejnë edhe forcimit të ndërgjegjes kombëtare, sikurse kemi të bëjmë edhe me trashëgiminë fetare. Por unë mendoj që e ardhmja do të shkojë drejt konsensusit për gjërat më të rëndësishme më bazike të shoqërisë sonë dhe jo të konfliktit.
Zakonisht në fund të vitit thuhen fjalët e mira, kam parasysh se po i thoni këto për të përcjellë vitin me fjalë të mira se që të shkojë drejt konsensusit duket pak e çuditshme…
Unë besoj që shoqëria shqiptare është mjaft e lodhur nga konflikti i tepruar dhe i stisur politik.
Dua t’ju bëj një pyetje krejt personale, drejtoni çdo të enjte një seancë tmerrësisht konfliktuale, tmerrësisht të vështirë, tmerrësisht të lodhshme në Parlament. Nuk ndiheni vetë gati-gati i neveritur nga ajo që shihni aty?
Ndihem i keqardhur, për arsye se shterojnë energji pa kuptim dhe në më të shumtën e kohës nuk flitet për përmbajtjen e ligjeve që mund të ishte më me interes, por shpresoj shumë që Parlamenti i ardhshëm të jetë shumë më cilësor se sa aktuali…
…Me certifikata më të pastra besoj…
…Jo vetëm çështja e certifikatës. Mendoj se kjo e banalizon pak atë që kërkojnë qytetarët nga Kuvendi, por edhe figura më cilësore, të cilat sjellin mendime, ide konkrete për të përmirësuar legjislacionin dhe për të ndikuar realisht në jetën e qytetarëve.
Z.Meta, a e keni menduar ndonjëherë ose a keni arritur të analizoni që gjithë ajo – unë e quajta teatër ose betejë në Parlament të enjteve – është shkëputur krejtësisht nga interesi i përditshëm publik? Pra, një qytetar që sheh nga televizori nuk gjen asgjë që shkon në favorin e tij në ato diskutime…
Unë pikërisht u përpoqa të nënvizoja më parë, që të punojmë dhe të shpresojmë, meqenëse ju thatë se është edhe fundviti dhe gjithmonë urohet e synohet një vit edhe më i mirë, që Parlamenti i ardhshëm të kontribuojë, pavarësisht nga përbërja politike, për një cilësi tjetër të përfaqësimit dhe të lidhjes së deputetëve me problemet e qytetarëve. Ky është një konflikt në nivelet e larta dhe i stisur, nuk është një konflikt midis qytetarëve shqiptarë.
Qytetarët shprehin pikërisht këtë shqetësim, që Parlamenti nuk reflekton më interesin e përditshëm të tyre, por është futur në një axhendë që ka më shumë larje hesapesh midis personave se sa shqetësime reale…
Mendoj që edhe qytetarët do të duhet të thonë fjalën e tyre.
Vetëm të dalin në rrugë e të protestojnë para Parlamentit…
Nuk po flas thjesht vetëm për këtë çështje, sepse edhe kjo është demokratike, por vitin e ardhshëm kemi zgjedhje dhe të gjitha forcat politike duhet të kenë përgjegjësinë për të paraqitur kandidatë sa më të përgjegjshëm, sa më dinjitozë për të qenë në Kuvendin e Shqipërisë dhe sa më përfaqësues për qytetarët.
Ku do ta festoni mbrëmjen e Vitit të Ri, z. Meta?
Ne gjithmonë festojmë në shtëpi për Krishtlindje apo për Vitin e Ri, mblidhet e gjithë familja.
Cilat janë pasionet e fëmijëve? Kanë zgjedhur se me çfarë duan të merren? Vajza e madhe dhe djali janë thuajse në një moshë kur mund të zgjedhin…
Ende jo. Vajza e vogël ka dëshirë të bëhet artiste, duket pak si më e qartë, por mendoj se derisa të rritet do të ketë mundësi ta ndërrojë disa herë dëshirën apo pasionin e saj.
Por preferenca e juaj, për vajzën e vogël meqenëse ju e përmendët, cila do të ishte?
Mendoj që fëmijët duhet të zgjedhin atë që ata mendojnë se mund të bëjnë më mirë dhe mund të jenë më të dobishëm e më të qetë me veten e tyre.
Në politikë do ta stimulonit që të merrej?
Absolutisht që jo, për arsye se të stimulosh fëmijën që të merret me diçka për të cilën nuk ka dhunti apo nuk ka pasionin e duhur, do të thotë ta çosh në rrugën e dështimit. Dhe ne kemi vënë re që shpeshherë kanë ndodhur dështime të tilla për arsye se asgjë nuk mund të imponohet, aq më tepër në kohët tona.
Ju personalisht jeni penduar që zgjodhët të merreshit me politikë?
Është shumë vonë për të bërë këtë pyetje dhe shumë vonë për t’u përgjigjur.
Nëse do t’ua bëja pyetjen ndryshe: nëse do të rizgjidhnit sot me kaq eksperiencë sa keni dhe me gjithë këtë bagazh të këtyre viteve angazhim do të rizgjidhnit politikën?
Nuk e di, unë gjithmonë kam qenë i dyzuar në zgjedhjen që kam bërë që në fillimet e mia, por sidoqoftë besoj që ka qenë një angazhim dhe një sakrificë që ia ka vlejtur edhe pse ka qenë shumë e madhe.
Është sakrificë më shumë apo është kënaqësi?
Në rastin tim ka qenë një sakrificë shumë e madhe, sepse gjithçka më është dashur që ta arrij vetë, në kuptimin e sfidave dhe përpjekjeve. Natyrisht i mbështetur nga shumë kolegë, bashkëpunëtorë e kështu me radhë, por ka qenë shumë e vështirë.
Kur zgjodhët ekonominë (ju keni studiuar ekonomi) e zgjodhët vetë, ishte pasioni juaj apo thjesht atje ju caktuan?
E zgjodha vetë. Unë kisha vetëm një qëllim, të mos shkoja për inxhinieri mekanike.
Pse? Shkoi z. Majko nuk i doli keq…
Jo, nuk ishte problem. Për çdo gjë tjetër isha i gatshëm, edhe për shkencat e natyrës e kudo, por sepse në vizatim teknik nuk kam qenë shumë mirë, pavarësisht se në fushat e tjera kam qenë shumë mirë. Vizatimi teknik ka qenë pika ime e dobët, 9 e kam patur notën, por nuk më tërhiqte dhe vetëm këtë shqetësim kam patur. Çdo gjë tjetër për mua ka qenë shumë OK.
Do t’i sugjeronit djalit ose vajzës së madhe që të merreshin me ekonomi?
Vajza e madhe besoj se ka hyrë në këtë rrugë.
Çfarë ka zgjedhur?
Kam përshtypjen se dëshiron të studiojë për financa ndërkombëtare.
Ka qenë zgjedhja e vet?
Absolutisht e saj.
Po djali ka pasion?
Djali ka qejf të bëhet aktor, por ne nuk jemi shumë dakord.
Si e keni atmosferën me fëmijët? Një person i cili prej 25 vitesh, por edhe nga lindja e fëmijëve është në punë nga mëngjesi deri në darkë, është në udhëtim, është në fushata elektorale, ku gjen kohë për familjen dhe sa të lidhur janë fëmijët me ju?
Mendoj se fëmijët janë më të lidhur me Monikën, por padyshim që unë kam një lidhje shumë të mirë dhe të qëndrueshme, sidomos me vajzën e vogël, dhe gjithmonë përpiqemi të gjejmë kohën dhe vajza e vogël është organizatorja më e mirë e drekave, darkave tona, eventeve të caktuara.
Kënaqen fëmijët nën atmosferën festive të natës së Vitit të Ri ose Krishtlindjeve?
Po, padyshim që kënaqen, sepse siç e thatë edhe ju pak më parë, nuk janë kaq të shpeshta momentet kur ne mund të qëndrojmë të gjithë së bashku.
Nëse unë ju pyes sot: cili është pasioni jashtë politikës, në atë pak kohë të lirë që keni, që nuk ja kushtoni politikës, me se merreni?
Leximi. Edhe si një mundësi për t’u shkëputur nga përditshmëria, takimet, problemet, sepse të gjitha takimet janë me probleme, por edhe për t’u relaksuar.
Sa herë keni menduar që po e lë fare politikën e të iki?
Kjo është si puna e duhanit. Mbaj mend një futbollist të madh të kombëtares sonë, nuk po ia përmend emrin, meqenëse nuk më ka autorizuar, më kujtonte kur ai shkoi te një ekip shumë i njohur jashtë dhe filloi të bënte stërvitjen atje, por ngaqë ngarkesa ishte e jashtëzakonshme çdo natë thoshte se ditën tjetër sa të zgjohem do të kthehem në Shqipëri. Por kur zgjohej e kuptonte se kjo ishte një dështim, që ai nuk mund ta pranonte dhe fillonte përsëri nga e para derisa përfundimisht u përshtat me atë situatë të vështirë.
Që do të thotë se edhe juve ju qëllon shpeshherë darkave të thoni që nuk do të shkoj nesër në mëngjes të merrem me këtë punë dhe përsëri vini të merreni me punën tuaj?
Nuk është tamam kështu, por shpesh ndodhin zhgënjime. Por efektet e tyre janë momentale, pasi shpesh ato kthehen në një motiv më të fortë për të kërkuar suksesin e radhës.
Ndërkohë që duket se 2017-ta do të jetë një vit interesant për arsye të zgjedhjeve, për arsye të disa zhvillimeve që mund të ketë. Megjithëse unë premtova që kjo intervistë nuk do të kishte pyetje politike, dy, tre detaje të vogla do t’jua bëj. Si e keni vendosur në 2017, të paktën në parashikimet tuaja, do të vazhdoni të qëndroni “i martuar” me Ramën apo do të “rimartoheni” djathtas, siç thoshte Kryeministri?
Unë martesën politike nuk e njoh si koncept. Njoh marrëveshjen.
E paska gabim Kryeministri atëherë kur mendon që ke qenë i martuar djathtas. Kjo është edhe më e rëndë që Kryeministri nuk e ka ditur që paskeni qenë i pamartuar dhe ju ka marrë për ish-të martuar…
Në këtë drejtim unë gjithmonë i kam qëndruar marrëveshjeve dhe i qëndroj marrëveshjeve, sepse vetë politika është një marrëveshje dhe funksionon në këtë mënyrë. Dhe përsa i takon vendimeve që ju kërkoni të merrni përpara Vitit të Ri, ato janë vendime që do t’i takojnë vitit 2017 dhe kurrsesi nuk do të jenë personale.
Z.Meta të gjithë besojnë që, po ju i qëndroni marrëveshje, por kanë shumë problem tremuajshin e fundit marrëveshjes. Që do të thotë çfarë ndodh me marrëveshjen kur ajo duhet o të rinovohet ose të griset? Pra në këto dy alternativa…. Megjithëse ka shumë komentatorë që thonë se martesa juaj me Ramën është një martesë që nuk prishet dot, që nuk parashikon divorcin. Të paktën në këto zgjedhje…
Nuk kam ndërmend ta nis vitin e ardhshëm me paragjykime. Përkundrazi, por besoj që do të keni në çdo rast vendime të pjekura dhe të përgjegjshme të LSI-së, jo thjesht të miat.
Si shpjegohet që ju po tentoni të mbani një pozicion disi ndryshe nga mazhoranca. Pra duke qenë pak më tolerant me opozitën dhe më i moderuar në qëndrimet tuaja sesa Rama? Janë vendimet tuaja apo i keni kalkuluar me z. Rama?
Nëse Lëvizja Socialiste për Integrim do të mbante qëndrime identike me Partinë Socialiste, nuk do të ishte e nevojshme dhe as e domosdoshme të ekzistonte si forcë politike më vete. Fakti që këtu gjithmonë ekziston një paragjykim, që mendoj që është produkti i politikës konfliktuale të krijuar ose të mbajtur artificialisht, se ndoshta fillimisht konflikti ishte i fortë, sepse erdhi pas një tranzicioni mjaft të dhimbshëm, por tani artificialiteti është i dukshëm, nuk është një konflikt i natyrshëm dhe real.
Absolutisht që LSI-ja dallon që nuk bëhet pjesë e konfliktit. Pra mund të mbajë qëndrim plotësisht në mbështetje të një qëndrimi të PS-së, kur mendon që ky është një qëndrim i drejtë, i argumentuar. Mund të mbajë edhe një qëndrim po themi shumë më pranë PD-së apo opozitës, kur mendon që ky është një qëndrim i drejtë, por një gjë mund ta them me bindje që të gjitha qëndrimet e LSI-së janë në përputhje të plotë me marrëveshjen që LSI-ja ka nënshkruar me PS, në Shkodër.
Z.Meta kam qenë shumë kurioz herë pas herë. Ju keni pasur edhe një marrëveshje me PD. Nuk mbaj mend as të darkonit një herë në javë me z. Berisha, as të takoheshit një herë në javë në zyrë. Ndërkohë që shoh z. Rama që vjen herë në këmbë, herë me duar në xhepa nga Kryeministria në Kuvend për t’ju takuar. Është folur shpeshherë që ju darkoni në atë që po e quaj “prive”-në e Kryeministrit në Kryeministri. Si janë raportet tuaja personale me z. Rama?
Raportet e mia personale janë shumë të mira me të gjithë.
A po qenë aq të mira sa me të gjithë e kuptoj…. Konkretisht me z. Rama?
Raporti im me z. Berisha, ndryshe nga ç’kam menduar dhe unë ka qenë shumë më i mirë se ç’kanë menduar shumë të tjerë se sa pritej, për arsye sepse ka qenë një koalicion risi, në kushte të vështira. Por që ka qenë i domosdoshëm për rrethanat kur përfunduan zgjedhjet e vitit 2009 dhe padyshim që me z. Berisha jemi takuar vazhdimisht. Por ndoshta nuk binte në sy se unë nuk isha Kryetar Kuvendi që ai të vinte këtu apo unë të shkoja atje.
Kush ka qenë partneri më i mirë? E di që është e vështirë, por është e sinqertë. Edhe si partner më i thjeshtë për të komunikuar? Kështu është kur ke dy martesa dhe nuk thua dot cila ka qenë më e mira…
Çdo partner ka veçantitë e tij. Unë marrëveshjet nuk i shikoj si raporte personale. Ato mund të jenë më të mira me dikë, më pak të mira me dikë tjetër. Ato janë detyrime, sepse bëhen në emër të një force politike dhe janë përgjegjësi të rëndësishme, sepse janë në raport me qytetarët.
Në këtë vit, pra në 2017-n pritet të zgjedhjet dhe Presidenti i Republikës. Nga ky parlament do të zgjidhet Presidenti z. Meta?
Kjo është një çështje tekniko-juridike. Por është e qartë që Presidenti normalisht do të zgjidhet nga ky parlament. Parlamenti i ri normalisht duhet të mblidhet në shtator.
A do të jeni ju Presidenti i ri i Republikës? A ka një marrëveshje me Ramën që ju të merrni postin e Presidentit?
Unë jam i bindur që do të vazhdoj të jem dhe më 19 qershor Kryetar i LSI-së.
Edhe në 19 qershor do të vazhdoni të jeni Kryetar i LSI-së?
Po, një ditë pas zgjedhjeve. Patjetër, sepse besoj se rezultati i LSI-së do të jetë një rezultat pozitiv edhe unë do të kem të drejtën morale të vazhdoj ta drejtoj këtë forcë politike.
Si do të jetë profili i Presidentit të ardhshëm të Shqipërisë sipas jush? Duhet të jetë fryt i një marrëveshje të gjerë apo një zgjedhje ekskluzive e maxhorancës? Z. Rama më ka thënë: është e drejta jonë për ta zgjedhur dhe nuk negociojmë me njeri. Ju si mendoni?
Është tepër herët për të folur për këtë çështje. Në çdo rast Presidenti i vendit duhet të jetë një njeri me integritet dhe që të garantojë një komunikim sa më gjithëpërfshirës.
Mendoni që rezultati i LSI-së do e çojë Shqipërinë në një politikë tripolare të konsoliduar, siç po flitet herë pas here?
Unë mendoj që LSI-ja do të rrisë kontributin e saj për stabilizimin e vendit nga të gjitha pikëpamjet: politike, institucionale, ekonomike. Cili do të jetë roli i LSI, kjo do të vendoset nga LSI-ja, por mbi të gjitha nga qytetarët shqiptar. Ata do të vendosin rolin e gjithsecilit.
Çfarë urimi do të keni për shqiptarët sot?
Uroj lumturi të gjithëve në familjet e tyre. Sa më shumë dashuri në familjet e tyre dhe për njëri-tjetrin.
Sërish me dashuri i urove?
Po patjetër.
Dhe qetësinë e harruat z. Meta…
Qetësinë e harrova, sepse besoj se do të ketë pak hare, pak entuziazëm. Dhe dëshiroj vërtetë që të jetë një vit më i mirë për të gjithë.
Diskutime rreth kësaj post