Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se, kthesa që qeveria e tij ka shënuar në ekonomi në këto 3 vjet qeverisje është e padiskutueshme.
Duke folur në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Bleta e Artë”, Rama ka nënvizuar se, sot kemi një model ekonomie që mbështetet tek eksportet dhe burimet prodhuese.
Por, ajo ku e ka vënë theksin kreu i qeverisë ka qenë plani i investimeve për 3 vitet e ardhshme, që do të arrijë sipas tij në rreth 1 miliard euro.
“Ne kemi një plan investimesh prej 1 miliard euro në 3 vitet e ardhshme. Këto investime mund të nxisin rritjen ekonomike në mbi 6 për qind. Ky program agresiv investimesh do të shpallet në ditët e para të janarit”, ka thënë Rama.
Kryeministri ka theksuar se para 3 vitesh rritja ekonomike e vendit nuk ishte as 1%, ndërsa tani, në fund të viti 2016, rritja ekonomike parashikohet rreth 3.3 deri në 3.5%. Në këtë kontekst, Rama ka shtuar se në vitet e ardhshme, do të ketë një boom ekonomik në vend, falë reformave të ndërmarra nga qeveria.
“Do mundohem të jem shumë sintetik, edhe pse më rezulton shumë e vështirë kjo gjë…. nuk dua të krijoni përshtypjen që qeveria flet e flet dhe ju të mbeteni pa ngrënë. Së pari, si rrjedhojë e reformave të ndërmarra, Shqipëria këtë vit arriti pozicionin më të mirë historik në Doing Business, qysh prej vitit 2003.
Kemi përmirësuar 42 pozicione, ndërkohë që në pozicionin e lehtësimit për pagesën e taksave, kemi përmirësuar 45 vende. Nuk është ky objektivi ynë përfundimtar, sepse synojmë më shumë përmirësim. Jemi të bindur që është e mundur dhe patjetër që do tja dalim”, tha Rama.
“Sot janë të regjistruar në librat e shtetit, 183 mijë punonjës më shumë në sektorin jobujqësor, sesa c’ishin në vitin 2013. Është një shifër dhe jo një opinion dhe besoj që vlen për të gjithë ata që duan të dëgjojnë dhe kuptojnë se nëse papunësia në vend, sot e gjithë ditën është një plagë e madhe… Shqipëria sot nuk është e papunë. Shqipëria ka më shumë punësim sot se 3 vjet më parë.
Sonte unë dua të falenderoj të gjithë ata ndër ju të cilët i janë bashkuar përpjekjes sonë të madhe për reformimin rrënjësor të arsimit profesional, nga një rifuxho “pecatorium” ku strehoheshin viktimat terminale, në një gjenerator të punësimit në Shqipëri. E kemi filluar me 3 mijë nxënës dhe sot jemi në 27 mijë, cka do të thotë se ardhmja jo e largët do të jetë me sigurt”, u shpreh më tej kryeministri.
Nga ana tjetër, vijoi Rama, “të regjistruar në librat e shtetit sot, janë për këtë vit 18 mijë biznese të reja. 18 mijë, qoftë sikur edhe një person të vetëm të kenë punësuar, bëjnë 18 mijë njerëz të punësuar, por nuk bëhet fjalë për një, por më shumë. Cka është më e rëndësishmja, është që për të gjithë ata që thonë se në vend nuk ka investime të huaja, është dhe fakti se kemi një rritje prej 3.2% të kompanive të huaja me apo pa kapital të përbashkët në vend”.
“Ky vit na ka dhënë një mesazh shumë kuptimplotë për turizmin në vend, si një gjë që kemi filluar ta fusim në një rrugë të zhvillimit të qëndrueshëm. Sipas BB-së, ekonomia e Shqiperisë fitoi më shumë se gjysëm miliarde euro nga turizmi. Edhe në këtë rast, nuk është mjaft, përkundrazi, është një arsye jo për të qenë të kënaqur, por për të qenë edhe më të pakënaqur me veten tonë, sepse potencialet janë më të mëdha”, tha Rama.
“Tjetra që besoj se nuk duhet lënë pa nënvizuar është rritja ekonomike. Sigurisht që 3 apo 3.5% nuk është një rritje e mjaftueshme për një ekonomi si e jona dhe në kushtet kur për familjet e shtresës së mesme, ne kërkojmë që impulsi i rrirtjtes të jetë i prekshëm. Por ama, vetëm kush nuk do të shohë e të dëgjojë, nuk pranon se 3.3 apo 3.5 % është shumë më tepër se zero presje diçka, aty ku ishte ekonomia 3 vite më pare”, u shpreh më tej Rama.
“I kemi të gjitha arsyet për t’u ndjerë krenarë për këtë rritje ekonomike… ama nga ana tjetër, jemi të bindur se i kemi të gjitha arsyet për të qenë të pakënaqur, kur realisht ja dolëm të shmangnim një rënie në humnerë për shkak të borxheve të akumuluara dhe të gjithë kolapsit energjitik ku na lanë. Por, në raport me të ardhmen, kjo nuk na mjafton”, tha Rama.
Ndër të tjera, kryeministri ka përsëritur se, rritja prej 100 milionë dollarë e rrogave dhe pensioneve nuk ndikon në rritjen e borxhit publik.
Më tej, ai ka vlerësuar ndërhyrjen e ekzekutivit në sektorin e turizmit, i cili ka hyrë tashmë në rrugën e duhur.
“Ky vit na ka dhënë një mesazh kuptimplotë për potencialin turistik të Shqipërisë. Turizmin kemi filluar ta fusim në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm”, ka shtuar Rama.
Diskutime rreth kësaj post