Ishe i ngrohtë, këtë mund të them me një fjalë të vetme për ty.
Si zë, si njeri, si portret, si aktor.
Të njoh prej shumë kohësh, ndoshta më shumë se ata që mburren se të kishin njohur mirë. Mbaj mend edhe babain tënd, Shëndetin, që pinte ndonjëherë kafé te 21 Dhjetori me babain tim. Dhe babai im, Petro Zheji, personin që pinte kafé, e zgjidhte mirë. “Shëndeti, ka qenë ballist, burrë trim dhe e persekutojnë!” më thoshte nën zë Petro, im Atë.
Ti luajte role Komisarësh, sepse diktatura kishte nevojë për talentin tënd. Dhe ti do të ngrije një familje dhe do të bëje një jetë.
Por ishe aktor total tek “Vdekja e një Komisioneri”, e të madhit Artur Miller. Dhe tek “Ballë për Ballë” ishe Patriot shqiptar dhejo një sekretar partie.
Ishe burrnor, i admirueshëm dhe simpatik. I mbyllur në vetvete dhe me fare pak miq.
Ishe shumë i dhemshur dhe i sjellshëm me Nënën time, Besa Imamin, që të donte dhe si aktore më e vjetër, të mbronte me shpirt, kur të sulmonin nën brez me sa mundeshin xhelozët e shumtë. Më fliste viteve të shkuara, shumë për ty, për sulmet për biografinë, për letrat anonime që vërshonin mbas çdo filmi të suksesshëm në Teatrin Popullor.
Dhe bashkë kemi ndejtur plot herë. Me Timon apo dhe me Ramën e gjatë. Dhe të jepnim dhe na jepje dashuri dhe ironi e qesëndisje të bollshme.
Sidomos kur bashkë me Ramën e gjatë, para viteve ’90, bënim analizën se kush është aktor më i mirë, ti Bujo, apo Timo Flloko. Debate të gjata dhe miqësore, që mbylleshin me britmën tënde therrëse: Unë!
Kohë të bukura dhe kohë të shkuara.
Mirëpo, kur mendonim se Teatri dhe Kinemaja Shqiptare, do të rilindte, ato vdiqën dhe u vranë në mënyrë kriminale. U Çmitizuan dhe u thyen në mijëra copëza.
Të shihja shpesh me xhipin tënd të vogël dhe me Mirën tënde besnike, dhe nuk e harroj dot pasionin tënd për xhupat e lëkurës, mustaqet, flokët, kasketat dhe këpucët.
Vetmia juaj, harresa e pushtetarëve, Teatri i zymtuar, Kinemaja pa para dhe fonde, ose me para dhe fonde të zhvatura, ja bëjnë të pamundur jetën një aktori.
Kur largoheni pa kthim Ju, largohen pa kthim pjesë të çmuara të Mozaikut shqiptar, që ka gjithë e më pak ndriçim, ngjyra dhe jetë.
Bujo, më duket se e ule perden para kohe se stë pëlqeu shfaqja!
Artur Zheji /In memoriam
Diskutime rreth kësaj post