Eksportet e kompanive shqiptare u rritën me 17.4 për qind në muajin nëntor, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke shënuar rritjen më të fortë që nga shkurti i 2014-s.
Instituti i Statistikave raportoi se, ecuria e fortë e eksporteve në muajin që lamë pas ka përmirësuar ndjeshëm bilancin e të gjithë vitit. Për shkak të rënies se ndjeshme në çmimet e naftës dhe mineraleve, prej dy vitesh eksportet shqiptare kanë qenë në ulje.
Sipas INSTAT-it, për gjashtëmujorin e parë të këtij viti ato ishin mbi 8 për qind më të ulëta se një vit më parë. Por, prej 4 muajsh tendenca është përmbysur dhe, falë ecurisë së fortë në nëntor, rënia vjetore e eksporteve për 11-mujorin u ngushtua në vetëm 1.6 për qind.
Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se janë dy grupe, të cilat kanë amortizuar thuajse tërësisht rënien e eksporteve të mineraleve dhe naftës. Ato janë eksportet e industrisë së fasonit, të cilat si 11-mujor janë rritur me 19 për qind, dhe eksportet bujqësore, që janë zgjeruar këtë vit me 22 për qind krahasuar me vjet.
Ecuria e 4 muajve të fundit të shkëmbimeve tregtare me jashtë sinjalizon se, efekti negativ i grupit “minerale dhe energji” mund të jetë amortizuar plotësisht dhe eksportet shqiptare mund të kenë nisur rimëkëmbjen pas dy viteve të vështira.
Diskutime rreth kësaj post