Përplasja mes bandave Çiço-Aliaj është zgjeruar edhe më tej. Hetuesit pritet të bashkojnë në dosje edhe një tjetër vrasje të ndodhur në Tiranë, e mbetur pa autor.
9 muaj më parë, ish-polici Ajet Zeqaj sapo ishte kthyer nga Franca, kur u ekzekutua fare pranë banesës në zonën e ish-Bllokut.
Mbrëmjen e 16 marsit, atentatori e priti për disa minuta 36-vjeçarin dhe në momentin që ai doli nga një sallë lojërash fati, e qëlloi 6 herë me një pistoletë me silenciator.
Ndonëse në vendngjarje kishte kamera, për policinë, edhe për nga mënyra mafioze e ekzekutimit, ishte e pamundur identifikimi i autorit.
Hetuesit dyshojnë se eliminimi i Zeqajt është pjesë e zinxhirit të ngjarjeve kriminale mes dy bandave, kjo për shkak se policia zbuloi disa lidhje mes Zeqajt e Çiços, i cili u vra pak javë më vonë nga Jani Alia, po në këtë zonë.
Njohja mes dy viktimave, për hetuesit ka qenë trafiku i narkotikëve brenda dhe jashtë vendit dhe prishja e pazareve, për të cilat mund të ketë nisur eliminimi i kundërshtarëve.
Personi kyç, i cili vijon të merret në pyetje nga policia, është Ari Alinani, i cili mbeti i plagosur në atentatin në qytetin e Fierit, ku u vra Nelgert Pata. Alinani nuk ka pranuar të bashkëpunojë, duke lënë në udhëkryq hetimet për një seri ngjarjesh të rënda kriminale, me disa viktima dhe të plagosur.
Diskutime rreth kësaj post