Muaji dhjetor është karakterizuar nga kushte atmosferike të qëndrueshme dhe me reshje të ulëta. Kjo ka bërë që prurjet në hidrocentralet e vendit të jenë në nivele të ulëta, gjë që ka detyruar OSHEE të blejë energji për periudhën 21 dhjetor 2016 deri në 31 janar 2017, në vlerën 13.3 milionë euro.
Ndërkohë në javën e fundit të 2016-s do të regjistrohen, sipas parashikimeve, ditët më të ftohta të vitit. Zonat malore do të preken nga temperatura shumë të ulta, të cilat mund të arrijnë deri në -12 gradë Celcius.
“I ftohti polar do të qëndrojë në vendin tonë deri në ndërrimin e viteve. Pra, dita më e ftohtë e vitit do të jetë data 31 dhjetor ku termometri do të shënojë -12 grade Celcius poshtë zeros në zonat malore, ndërsa në bregdet dhe zonat e ulta temperaturat do të jene -4 deri në -7 gradë”, bëri të ditur meteorologia Rezarta Xhakollari.
Reshjet e dëborës gjatë kësaj jave në zonat malore të Shqipërisë do të jenë të pakta. Pas fundjavës dhe ndërrimit të viteve pritet të ketë një përmirësim të temperaturave, të cilat do të rriten gradualisht.
Diskutime rreth kësaj post