Këshillat apo autoritetet lokale në Britani morën leje për të kryer më shumë se 55.000 ditë përgjimi sekret për mbi 5 vite, për të vëzhguar njerëz që nxirrnin qentë shëtitje, ushqenin pëllumbat apo hidhnin plehrat në vende ku nuk lejohej.
Skandali zbulohet nga gazeta “the Guardian”, e cila duke përdorur ligjin e lirisë për informacion mësoi se 186 autoritete lokale në vend, dy të tretat e 283 që u pëgjigjën, përdorën ligjin për fuqitë hetuese për të mbledhur prova përmes pajisjeve sekrete të përgjimit, kamerave dhe detektivëve privatë.
Kritikët e ligjit thonë se qeveria ngulte këmbë se ligji do të përdorej vetëm kur Britania të ishte në rrezik serioz nga krime shumë të rënda apo terrorizmi. Por, sipas “The Guardian”, këshillat lokalë e kanë përdorur për arsye nga më qesharaket.
Për shembull, këshilli i qytetit Lancaster përdori përgjimin nën mbulimin e këtij ligji për të zbuluar se cilët mes atyre që dilnin shëtitje me qen i linin jashtëqitjet e kafshëve vend e pa vend. Këshilli i Midlothian përgjoi lehjet e qenve që shqetësonin njerëzit, apo ata që ushqenin pëllumbat edhe aty ku nuk lejohej.
Në Ëolverhampton, përgjimi u përdor për të zbuluar se cili shitës makinash manipulonte kilometrat e bëra nga mjetet e përdorura. Këto përgjime raportohen për 5 vite para dhe pas vitit 2012, që shënon kulmin e tyre, të cilat në total llogariten në rreth 2.800 të tilla.
Sipas autoriteteve, tashmë ligji ka ndryshuar dhe autorizimi është shumë vështirë të merret për çështje të tilla. Zyrtarë britanikë thanë se, ashtu si me çdo ligj, edhe me atë të përgjimit ekziston mundësia që autoritetet ta përdorin në mënyrë që Parlamenti nuk i kishte menduar kurrë.
Diskutime rreth kësaj post