Diplomatë të huaj në Tiranë kanë patur një takim jozyrtar ditën e mërkurë me ish-kreun e PD dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.
Kështu raporton gazeta Dita, që iu referohet, sipas saj, burimeve të besueshëm pranë një organizate të huaj që monitoron rajonin e Ballkanit.
“Takimi ka qenë konfidencial dhe Berishës i është premtuar se nuk do ketë asnjë lëvizje hetimore apo gjykuese kundër tij, në këmbim të ndikimit tek vota e të paktën dy prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për Vettingun.
Burimi nuk dha detaje mbi numrin e diplomatëve të huaj të pranishëm në atakim apo identitetin e tyre.
Organizata në fjalë nuk ka seli në Tiranë, por vepron në një vend të njohur të Europës.
Sipas të njëjtit burim, Berishës, në këmbim të moscënimit, i është kërkuar në veçanti ndikimi tek Vladimir Kristo, dhe një anëtar i dytë i 8-shes Kushtetuese.
Pak përpara këtij takimi qarkulloi në Tiranë lajmi se gjykatësit e Kushtetueses ishin të ndarë në gjykimin për ta rrëzuar ose jo ankimimin e PD-së për Vettingun.
Sipas këtij lajmi të shpërndarë dhe në media që citonin “burime diplomatike”, 2 nga 8 anëtarët ishin kundër, ndërsa 2 të tjerë ishin për ndryshime në ligj, gjë që do të sillte shtyrjen e mëtejshme të vendimit.
Një nga këta të fundit ishte Kristo, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe një nga gjykatësit më të vjetër në sistem.
Kristo ra në sy gjatë gjatë seancës kur Gjykata Kushtetuese la në fuqi pezullimin e ligjit të Vettingut duke rrëzuar kërkesën e paraqitur në emër të Kuvendit nga Pandeli Majko për heqjen e tij, ndërkohë që u shpreh se niste shqyrtimin në themel të kërkesës së Partisë Demokratike dhe Unionit të Gjyqtarëve për shfuqizimin e këtij ligji.
Në këtë seancë ku i pranishëm në sallë, veç përfaqësuesve të opozitës dhe Unionit të Gjyqtarëve si palë të interesuara, ishte edhe Ambasadori Amerikan Donald Lu dhe Ambasadorja e BE Romana Vlahutin, Kristo paralajmëroi votën e tij duke thënë, që nuk mund të reformohet drejtësia, pa u reformuar thellë politika:
“Në asnjë vend nuk ndodh që Kushtetuta të kufizojë të drejtat e njeriut. Tek ne ndodh ky eksperiment. Vettingu do të bëhet dhe shumë mirë që do të bëhet. E shumta që mund të bëjë gjykata është të ndryshojë diçka. Pyetja ime është se nëse heqim ca të sëmurë dhe vijnë ca të pastër, a mos mbetet sërish mikrobi në sistem? A mos ka ardhur koha të reformohet thellë sistemi politik në vend? Është i deformuar dhe nuk kam besim se pa reformuar sistemin politik, reformat në drejtësi do jenë afatgjata” – tha Kristo.
Më pas, duke iu drejtuar ambasadorëve në sallë, Kristo tha ky ka qenë një debat i bërë në Amerikë qindra vite më parë.
“Dy janë problemet që mund ta prishin gjyqësorin: e para, korrupsioni dhe kërcënimi nga krimi i organizuar. Në SHBA u vendos për juri me qytetarët. Koha provoi që ishte vendim i drejtë. A mos ka ardhur koha që edhe ne të bëjmë kështu?”
Në fund, Kristo kërkoi edhe ndjesë:
“U zgjata ca dhe ndoshta dola edhe pak jashtë statusit, por jam gjyqtari më i vjetër në sistem në mbyllje të karrierës”, tha ai.
Por gjatë votimit, duket se Kristo i është bashkuar votave pro-pa kushte. Rezultati përfundimtar i votimit ishte 6 pro me 2 kundër”, shkruan Dita.
Diskutime rreth kësaj post