Nga Skënder Minxhozi
Vështirë të ketë një fjalë të huaj që shqiptarët e kanë dëgjuar kaq shumë në gojën e politikës, komentet e mendiave dhe deklaratat e të huajve, në dekadën e fundit. Vetingu shqiptar, ligji që do të verifikojë me themel klasën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, u lakua në muajt e fundit gjerësisht, duke u bërë një pikë reference për gjithkënd: ata që e donin me çdo kusht dhe ata që kërkuan ta shtyjnë e anullojnë me çdo mënyrë.
Vetingu kapërceu të enjten edhe pengesën e fundit që e mbante peng: Gjykatën Kushtetuese. Më në fund, pas një presioni të skajshëm që erdhi më së pari nga dëshira e opinionit publik për ta parë në veprim reformën, por edhe nga diplomatët perëndimorë dhe një pjesë e klasës politike, gjyqtarët e Kushtetueses i hapën rrugë ligjit që përbën “zemrekun” e reformës në drejtësi.
Më në fund paketa kushtetuese e shumëpritur ka marrë kështu një shtytje të fuqishme, në momentin më delikat të saj. Teksa Kushtetuesja e “ngrinte” ligjin e Vetingut, shumëkush besoi se reforma po hynte në kalendat greke dhe se i gjithë procesi do të “hollohej” më ujin e spekulantëve të politikës shqiptare. Opinioni i Komisionit të Venecias e davariti edhe këtë dyshim, duke i hapur rrugën miratimit të ligjit pa ndryshime.
Kjo bën që sot e tutje kontrolli dhe transparenca në sistemin e drejtësisë shqiptare, si parakusht i ndërtimit të një gjyqësori e prokurorie të fortë, të jetë vetëm çeshtje zbatimi, e jo modifikimesh të minutës së fundit. Hapi i hedhur nga Kushtetuesja pritet të demotivojë nismat e tjera për kontestimin e paketës së reformës, duke shpejtuar dhe afruar afatet e përmbushjes së saj. Ajo që është shkruar në letër është impenjuese dhe përmbysëse.
Shanset janë që Vetingu dhe ligjet e tjera të paketës, të nisin të prodhojnë qysh në dy muajt e parë të vitit 2018 rezultatet e para drejt transparencës së sistemit të drejtësisë shqiptare. Shkalla e zbatimit dhe rigoroziteti i aplikimit të të gjitha kritereve ligjore, janë hapi i parë për të ngritur një godinë të re drejtësie, të cilës mos t’i dridhet dora për të vendosur shtetin e nesërm të së drejtës, edhe në një vend ku drejtësia është blerë e është shitur me para. (Javanews
Diskutime rreth kësaj post