Pas pesë kërkesave të të pandehurit Kastriot Ismailaj për të përjashtuar trupin gjykues që prej më shumë se 10 muajsh po e gjykon për akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda, tani është vetë trupa gjykuese që kërkon të dorëhiqet nga kjo çështje.
Kryesuesja e trupës gjykuese, Vjollca Spahiu njoftoi në seancën e së premtes se ajo dhe dy anëtarët e tjerë i kanë paraqitur kryetarit të Gjykatës së Tiranës dorëheqjen nga gjykimi i Kastriot Ismailajt. Dorëheqja e gjyqtarëve argumentohet me kërkesat e shumta të të pandehurit për të përjashtuar trupin gjykues dhe referuar këtyre kërkesave duket qartë që i pandehuri Ismailaj nuk ka besim tek ky trup gjykues.
Nëse kryetari i gjykatës do të pranojë dorëheqjen e gjyqtarëve të Ismailajt, atëherë automatikisht trupa e re e gjyqtarëve që do të zgjidhet do të duhet ta rinisë procesin nga fillimi, çka nënkupton zvarritje të mëtejshme të këtij procesi, i cili deri më tani ka më shumë se 10 muaj që zhvillohet. Por, ajo që është më e rëndësishme është fakti që të gjitha provat e marra deri më tani nga gjykata, midis të cilave edhe dy dëshmitë kryesore të ish-juristit të DIA-s, Romeo Karajt dhe ish-drejtorit ekzekutiv të DIA-s Elvis Matës, duhet të vlerësohen edhe një herë përpara trupit të ri gjykues.
Ndërsa i pandehuri Ismailaj mund të ketë shansin që pak të pandehur e kanë, për të kundërshtuar për të dytën herë marrjen e tyre.
Diskutime rreth kësaj post