Antidroga e Igumenicës ka sekuestruar këtë të enjte 78 kilogramë kanabis në vendin e quajtur Fusha e Kestrinës, 10 km larg kufirit shqiptaro-grek në Qafë Botë.
Në pranga janë vënë dy transportuesit e lëndës narkotike, shtetas shqiptarë nga 26 vjeç. Policia ka deklaruar se i diktoi dy të rinjtë gjatë orëve të natës, në kohën që po kalonin nëpër fushat e zonës për të mos u zbuluar nga agjentët, të cilët janë vënë në gatishmëri kohët e fundit për të përballuar fluksin gjithnjë e në rritje të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria.
Dy të arrestuarit i thanë policisë se do ta transportonin kanabisin deri në afërsi të Igumenicës, ku edhe do t’ia dorëzonin një personi të cilin e kishin kontaktuar vetëm nëpërmjet telefonit, pa e njohur më parë.
Ndërsa në Gjykatën e Igumenicës, ku u dërguan për masën e sigurisë, ata thanë se janë banorë të zonës së Konispolit dhe se varfëria i kishte detyruar të kryenin këtë trafik, për të cilin do të paguheshin më pak se 1.000 euro, por nuk ia arritën të bindnin gjykatësit, të cilët vendosën t’i lënë në burg deri në përfundim të hetimeve.
Diskutime rreth kësaj post