“Rritja e ekonomisë vlerësohet të jetë forcuar disi në gjysmën e dytë të vitit 2016, pas rritjes me 3.1 për qind në gjysmën e parë. Kjo rritje është ushqyer nga gjallërimi i konsumit dhe investimeve private, përmirësimi i besimit, si dhe kushtet e favorshme të financimit”, deklaroi Sejko.
Kreu i bankës tha se gjallërimi i aktivitetit ekonomik ka rritur të ardhurat nga puna për familjet, por dhe fitimet e biznesit.
“Shfrytëzimi më i mirë i kapaciteteve në tregjet e punës dhe kapitalit ka krijuar kushtet për rritjen e punësimit dhe të pagave, si dhe ka ndihmuar në përmirësimin e marzhit të operimit të bizneseve”, tha Sejko.
Në daljen e fundit për këtë vit, guvernatori bëri publike edhe parashikimet për ecurinë e ekonomisë gjatë vitit të ardhshëm. “Ekonomia shqiptare do të vazhdojë të shënojë përmirësim në horizontin afatmesëm. Në përputhje me këto parashikime, aktiviteti ekonomik pritet të kthehet në ekuilibër brenda vitit 2017 dhe inflacioni pritet të arrijë në objektiv brenda vitit 2018”, saktësoi Sejko.
Këshilli Mbikëqyrës i bankës e mbajti të pandryshuar normën bazë të interesit në 1.25 për qind dhe deklaroi se ky nivel nuk do të rritet para gjashtëmujorit të dytë të vitit 2017.
Diskutime rreth kësaj post