Shqipëria përfiton në total 88.1 milionë euro nga marrëveshja e rinegociuar me konsorciumin “TAP”, nga 7.35 milionë përfitim që parashikohej në marrëveshjen e parë. Sipas Ministrisë së Energjisë, në marrëveshjen e nënshkruar nga qeveria e mëparshme, 7.35 milionë euro do të shkonin për investime në komunitet.
“Dyfishimi i investimeve në komunitetet lokale, nga 7 mln në 14 milionë euro. Kemi të bëjmë me një rishikim të periudhës së stabilitetit fiskal që është mbi 60 milionë euro që shkojnë për përfitime të shtetit shqiptar nga ky proces”, tha Damian Gjiknuri.
Marrëveshja e re parashikon 8 pika, ku përfshihen dyfishim i fondeve për trajnime në sektorin e gazit, si dhe zgjatjen e afatit të rimbursimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, nga 30 në 180 ditë. Konsorciumi angazhohet të mbështesë kompaninë e re të transmetimit të gazit në Shqipëri, që të ofrojë shërbimin e mirëmbajtjes për gazsjellësin.
“Si një nga investimet e huaja direkte më të mëdha në Shqipëri, ‘Trans Adriatic Pipeline’ po injekton 1.5 miliardë euro, përveçse përfshin Shqipërinë në hartën europiane të gazit”, tha Ian Bradshaw.
Ndërkohë mbetet ende e paqartë sasia e gazit që do të përfitojë Shqipëria, pasi sipas Ministrisë së Energjisë kjo nuk është subjekt i marrëveshjes me ndërtuesin e tubacionit, por me aksionerët e vendburimeve të gazit në fushën e Shah Denizit.
Diskutime rreth kësaj post