Çështja e sekuestrimit të serverit të ILDKPKI-së po merr vëmendje ndërkombëtare dhe të shërbimeve sekrete.
Burime të shërbimeve sekrete, por edhe diplomatike i pohuan Top Channel-it se po ndjekin me vëmendje të shtuar dhe shqetësim këtë proces gjyqësor, i cili me gjasë mund të ketë ndikim të pakthyeshëm në procesin e Reformës në Drejtësi dhe veçanti “vetting”-un.
Këto burime të huaja u shprehën me shqetësim në kushte anonimiteti, se ILDKPKI-ja dhe të dhënat e tij do të jenë një bazë e rëndësishme për hetimin që do të kryhet në bazë të ligjit të “vetting”-ut për të gjithë sistemin e drejtësisë, por edhe një bazë për SPAK-un, njësinë e posaçme antikorrupsion që pritet të nisë punë shumë shpejt.
Si e tillë, ajo është kthyer në vëmendjen e trupës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët sipas të njëjtit burim të huaj diplomatik shohin me shqetësim këtë veprimtari, që mund të rrezikojë karrierën, por jo vetëm, të tyren dhe të politikanëve aktivë në vend.
Sipas të njëjtit burim, nëse çështja shkon në duar të gabuara në Gjykatën e Lartë dhe segmenteve të interesuara për këtë çështje në prokurori, frika është te manipulimet e mundshme të dëshmive që mund të shërbejnë si prova në të ardhmen, për procese të rëndësishme kundër korrupsionit.
Sipas të njëjtave burime të huaja, nëse kjo ndodh, do të bënte nul thelbin e Reformës në Drejtësi, edhe nëse të enjten ligji i “vetting”-ut kalon klasën në Gjykatën Kushtetuese.
Diskutime rreth kësaj post