Kryeministri Edi Rama deklaroi të hënën se çështja e pronësisë lidhet ngushtë me reformën në drejtësi dhe se zbatimi i saj do të çojë edhe në zgjidhjen e ngërçit të krijuar për më shumë se 25 vite.
Gjatë ceremonisë për përurimin e ambienteve të reja të Agjencisë së Trajtimit të Pronave, Rama tha se nëse ka një temë që lidhet drejtpërdrejt me temën e reformës në drejtësi është reforma e pronës.
“Reforma në drejtësi perceptohet si instrument për të goditur zyrtarët e lartë që përzihen në kanalet e korrupsionit, por nëse reforma në drejtësi i duhet këtij vendi dëshpërimisht, A-ja është për ti dhënë fund përmes një drejtësie të drejtë, padrejtësisë së kthyer në sistem kur vjen puna tek e drejta e pronës”, deklaroi kryeministri.
Rama u shpreh se gjykatat kanë patur një ndikim të madh, negativ lidhur me zgjidhjen e pronësisë.
“Ajo që i kanë bërë pronës gjykatat e këtij vendi nuk ja ka bërë asnjëherë në shekuj asnjë pushtues apo armik i këtij vendi, sado i betuar”, deklaroi Kryeministri.
Por, kreu i qeverisë vuri në dukje gjithashtu se tashmë është miratuar ligji i pronës, që jep një zgjidhje përfundimtare për të gjithë, që ka marrë edhe bekimin e Komisionit të Venecias. Ne kemi shpresë, tha Rama, se në zbardhjen e vendimit nuk do të ketë shteg për të krijuar paqartësi e pasiguri.
“Në më pak se tre vite, kjo qeveri ka bërë më shumë se në 25 vite së bashku për trajtimin dhe kthimin e pronës tek i zoti”, tha Kryeministri Rama, ndërsa shtoi se “sot ka një perspektivë për të gjithë ata që për 20 e kusur vite, kanë mbetur pa përgjigje”.
Ka një rrugëdalje, vijoi Rama, nga ky tunel që sipas tij, është edhe tuneli i ekonomisë sonë, perspektivës së ekonomisë e shoqërisë sonë. “Pa zgjidhur këtë problem nuk mund të synojë kapërcime të mëdha e të merituara në aspektin e rritjes së qëndrueshme të ekonomisë”, u shpreh Kryeministri.
Rama garantoi pronarët se tanimë ky proces është i garantuar edhe politikisht, që do të thotë se prona do të kthehet tek i zoti pavarësisht se cila forcë politike qeveris.
Gjithashtu Kryeministri u shpreh se reforma që ka ndërmarrë qeveria bëri që në raportin e fundit të Komisionit Europian ndryshe nga çdo herë tjetër shprehet se është shënuar progres.
Diskutime rreth kësaj post