Një mijë metër kub dhera të nxjerra nga gërrmimet që po kryhen në kuadër të një investimi prej 6 milion eurosh në sheshin para Torres Veneciane të Durrësit kanë përfunduar në det.
Ndonëse depozitimi i tyre në det është i ndaluar me ligj, për shkak të pasojave të rënda mjedisore afatgjata, firma ka vijuar hedhjen. Inspektoriati i Mjedisit në Durrës e ka gjobitur me 1 milion lekë firmën duke i kërkuar dhe kthimin e zonës në gjendjen e mëparshme.
“Inspektoriati i Mjedisit i ka lënë detyrë Bashkisë që të bëjë një plan masash dhe studimi për vend-depozitim të ri për hedhjen e baltës”, thotë Jurgen Dashi, kryeinspektor i Mjedisit në Durrës.
Por për kryetarin e Bashkisë Durrës Vangjush Dako, përftimi i sipërfaqeve të reja të tokave nga deti ka interes publik, ndërkohë që ai vë në dyshim masën e marrë nga inspektorët e Ministrisë së Mjedisit, e cila ka heshtur edhe pse kjo pjesë e bregdetit ku po depozitohen është nga më të dëmtuarat për shkak të derdhje së vazhdueshme të ujërave të zeza dhe mbetjeve në të.
“Ka qenë Bashkia e Durrësit që i ka dhënë autorizim firmës për të hedhur dherat në atë zonë për arsyetimin tonë dhe mendimi ynë ka qenë që ta mbushim atë zonë për të përfituar hapësira publike. Është një zonë totalisht e degraduar, një zonë ku janë hedhur mbeturina historikisht dhe ne sot po vazhdojmë për t’i sistemuar ato”, thotë kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.
Nuk dihet si do të vazhdojë beteja administrative dhe ligjore mes Bashkisë së Durrësit dhe Inspektoriatit të Mjedisit, po sipas mjedisorëve në këtë zonë është planifikuar të depozitohen edhe 12 mijë m3 dhera të tjera të nxjerra nga punimet që do të kryhen në funksion të investimit të Bashkisë.
Diskutime rreth kësaj post