Dështimi i votimit elektronik, që do t’i jepte fund manipulimit të zgjedhjeve duke rritur besueshmërinë e tyrë, është parë më së shumti si rezultat i mosmarrëveshjeve politike. Por edhe sikur forcat politike të arrijnë marrëveshje, Shqipëria sërish nuk mund të realizojë votim elektronik për shkak të abuzimeve me sistemin teknik.
Top Channel zbardh një raport konfidencial të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka gjetur se kartat e identitetit të prodhuara nga kompania koncesionare Aleat nuk përmbajnë të dhënat e nevojshme për të identifikuar votuesit në mënyrë elektronike.
Raporti, i cili i është dërguar Kuvendit, ka kontrolluar arsyet se pse dështoi projekti për votim elektronik në dy zonat pilot Tiranë dhe Fier. Por ajo që ka gjetur është se të njëjtat arsye që çuan në dështimin e votimit elektronik në këto dy zona e bëjnë atë të pamundur edhe në rang kombëtar.
“Nga auditimi të krijohet bindja se përsa kohë është në diskutim mungesa e të dhënave faktike në chipat e kartave ID dhe Pasaportave biometrike, vihet në dyshim realizimi i proceseve elektronike të verifikimit, si në projekte pjesore ashtu edhe në implementim në shkallë kombëtare”, thuhet në raportin e KLSH-së.
Dështimi i votimit elektronik në Fier dhe Tiranë u shkaktoi taksapaguesve, sipas KLSH-së, një dëm prej rreth 2.5 milionë euro. Por dëmi real mund të jetë edhe më i madh, pasi kartat e prodhuara nga Aleat mund ta bëjnë të pamundur këtë proces edhe në rang kombëtar edhe pse shqiptarët kanë paguar për koncesionin e prodhimit të pasaportave mbi 150 milionë euro, një faturë që vazhdon të rritet.
Diskutime rreth kësaj post