Në bazë të dyshimeve se zyrtarë të caktuar mund të kenë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, me qëllim krijimin e kushteve për pranimin e kërkesës për lirim para kohe me kusht të Lulëzim Berishës, Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për shpërdorim detyre.
“Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimin kryesisht për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” lidhur me praktikat gjyqësore, gjithashtu edhe për praktikat administrative të ndjekura nga ana drejtuesve të Bashkisë së Durrësit, në bazë të të cilave është vendosur me lirimin me kusht të të dënuarit Lulëzim Berisha”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Durrësit.
Gjykata e Apelit të Durrësit në vendimin e 5 dhjetorit të këtij viti ka pranuar kërkesën e Berishës për lirim me kusht, për pjesën e mbetur të dënimit, prej 6 vjet, dy muaj e 22 ditë burgim.
Nga të dhënat paraprake, rezulton se Lulzim Berisha ka përfituar nga një seri e gjatë vendimesh gjykate për ulje dënimi, si edhe ka përfituar nga ligji i vitit 2012 “Për Amnistinë”. Por nga lajmet në media, thotë më tej prokuroria, rezulton që në vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës, shkruhet se “Bashkia Durrës, duke vlerësuar gjendjen e kësaj familjeje, sjelljen e tyre në komunitet, si dhe mundësinë e lirimit të të dënuarit, garanton punësimin e të dënuarit Lulzim Berisha, në pamundësi për tu punësuar në ndonjë subjekt privat”.
Në kuadër të këtij procedimi, Prokuroria Durrës po shqyrton ligjshmërinë e vendimeve të dhëna në kohë të ndryshme për të dënuarin Lulzim Berisha nga gjyqtarë të Gjykatës së Durrësit, për përfitim të uljes së dënimit, përfitimit të amnistisë, si dhe ndryshimin e vendit të vuajtjes së dënimit nga Burgu i sigurisë së lartë, në atë të zakonshëm.
Diskutime rreth kësaj post