Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar në lidhje me deklaratat e ambasadorit amerikan Donald Lu, për mungesën e arrestimit të Klement Balilit, i akuzuar për trafik narkotikësh.
Nga Sllovenia, ku po merr pjesë në Forumin e Ministerialit të Ballkanit Perëndimor për Çështjet e Drejtësisë dhe ato të Brendshme, Manjani ka theksuar se, shqetësimin për rastin e Balilit e ka ngritur personalisht prej kohësh.
“Mbështes plotësisht shqetësimin e shprehur ditën e djeshme nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zoti Donald Lu, në lidhje me mos arrestimin e shtetasit Klement Balili. Gjej rastin t’ju informoj se, sikurse edhe mund të jeni në dijeni prej 7 muajsh dhe në mënyrë të përsëritur e kam shprehur dhe publikisht këtë shqetësim”, ka thënë Manjani.
Ai ka vlerësuar se, “mostrajtimi apo trajtimi i gabuar i kësaj çështjeje nuk mund t’i barazojë institucionet e shtetit në përgjegjësi dhe as të luhet “ping-pongu” i radhës”.
“Ligji shqiptar përcakton qartë se kush arreston, kush ndalon, kush akuzon dhe kush dënon persona të përfshirë në shkeljet e ligjit. Ministri i Drejtësisë vetëm ndihmon me transmetim leter-porosish dhe/ose përkthim zyrtar të dosjeve. Këtë detyrë e kemi bërë në kohë rekord”, ka thënë Manjani, duke shtuar se këto pretendime janë lehtësisht të verifikueshme.
Ai ka theksuar se, “ping-pongun” e përgjegjësive e ka denoncuar gjithnjë si të keqen më të madhe që ka sot sistemi.
“Prandaj askush të mos fshihet pas alibive të sajuara, por të marrë përgjegjësitë që i jep ligji dhe t’i ushtrojë. Përsëris qëndrimin tim të palëkundur se kushdo që ka shkelur ligjin duhet të ndëshkohet pa dallim!”, ka shtuar Manjani.
Diskutime rreth kësaj post