Lapraka ka mbetur sërish pa energji elektrike, pasi një firmë private ka dëmtuar kabllin 20 kilovolt që furnizon me energji gjithë zonën e Laprakës.
Sipas OSHEE-së, pa energji janë pallatet pranë spitalit tëTarumës deri në hyrje të rrugës së Durrësit. Grupet e punës së avarisë janë në terren dhe po punojnë për gjetjen e më pas eliminimin e defektit të shkaktuar.
OSHEE do të marrë të gjitha masat duke kallëzuar penalisht subjektin përgjegjës për dëmin e shkaktuar kompanisë dhe abonentëve të saj. Kompania private është kontraktuar nga bashkia e Tiranës për sistemimin dhe kanalizimin e bllokut të pallateve në Laprakë.
Vetëm një javë më parë, vetë administratori i OSHEE-së Adrian Çela ndodhej në këtë zonë, ku sërish ishin dëmtuar kabllot e energjisë elektrike nga një firmë private. Ai tha se do të kërkojë një nismë ligjore për sanksione ndaj firmave private.
Diskutime rreth kësaj post