Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian (BE) në tetor të vitit që lamë pas ishte një ndër lajmet më të rëndësishme dhe më pozitive për Kosovën pasi që si e tillë ajo parasheh formalizimin e relacioneve ndërmjet Kosovës dhe BE-së, përmirësimin dhe zhvillimin ekonomik e social të vendit, si dhe qasje të konsumatorëve kosovarë në produktet me origjinë nga Bashkimi Evropian.
Gjithashtu kjo marrëveshje parasheh integrimin e ekonomisë së Kosovës në tregun e përbashkët evropian duke rritur kështu investimet e huaja direkte dhe si pasojë përmirësimin e mjedisit e të të bërit biznes në Kosovë.
Tregu i punës me problemet e tij strukturale pritet të shohë ndryshime viteve në vijim kur edhe do të shihen frytet e para të implementimit të marrëveshjes. Artikulli 106 i Marrëveshjes obligon palët që të bashkëpunojnë në realizimin e reformave ekonomike me qëllim përmirësimin dhe implementimin e Ligjit të Punës, që do të rriste benefitet e punëtorëve aktualë dhe si rrjedhojë participimin e tyre në fuqinë punëtore. Mirëpo në anën tjetër, marrëveshja ka si pikë kryesore heqjen e taksave doganore për produktet që kanë për vend origjine një shtet të BE-së.
Ky fakt shton brengën që bizneset kosovare nuk do të arrijnë të konkurrojnë denjësisht me ato evropiane, duke dështuar kështu në integrimin e tregut kosovar me atë evropian. Andaj punësimi i shumëpritur në kompanitë që do të prodhonin mallra për eksport në vendet e Unionit Evropian do të stagnonte apo edhe do të zvogëlohej më tutje si pasojë e kësaj marrëveshjeje tregtare.
Diskutime rreth kësaj post