Fatos Lubonja ka bërë një shkrim në lidhje me dorëheqjen e Matteo Renzit në Itali, pas humbjes së referendumit për ndryshimet kushtetuese.
Në shkrimin e tij, Lubonja e krahëson Renzin me Edi Ramën.
“Së pari, edhe Renzi, edhe Rama akuzohen në vendet e tyre për personalizim të politikës, për prirje të theksuar për t’iu imponuar institucioneve.
Së dyti, që të dy akuzohen si politikanë me lidhje me ato që në Itali i quajnë “poteri forti” (pushtete të forta) apo më saktë si përfaqësues të interesave të tyre dhe, më në përgjithësi, të kastave të vendeve të tyre.
Së treti, edhe Renzi, ashtu si Rama, shquhen për prirjen për ta zëvendësuar politikën e aksioneve të mira me propagandë mediatike dhe akuzohen se kanë vënë në kontroll mediat kryesore (Renzi veçanërisht RAI-n, çka ra në sy si asnjëherë tjetër gjatë kësaj fushate për referendumin.) Për sa i përket sistemit politik ekonomik do të veçoja faktin se edhe Italia vuan nga partitokracia që pengon forcimin e shtetit të institucioneve, në favor të shteti të klientelave të partive, si dhe modelin Berlusconi të konfliktit të interesave për shkak të përqendrimit të pushteteve politike, ekonomike dhe mediatike në të njëjtat duar”, shkruan Lubonja për Panorama.
Entuzias për humbjen e Renzit, ai ngre pyetjen nëse ajo që i ndodhi ish-kryeministrit Italian, mund t’i ndodhë edhe mikut të tij Edi Rama në Shqipëri.
“Pyetja që shtrohet, kur e ballafaqojmë këtë realitet italian me realitetin shqiptar, është: Të ndodhur përballë një Kryeministri që dukshëm po shfaq, madje në masë shumë më të ekzagjeruar, tiparet e arrogancës dhe personalizimit të Renzit, e që, po ashtu, ka prapa “pushtete të forta” shumë herë më agresive se në Itali, a do të mundnin shqiptarët, të frymëzuar edhe nga italianët, t’i jepnin një mësim Kryeministrit Rama? Apo do të vazhdojmë të zhytemi gjithnjë e më shumë në pasivitet dhe nënshtrim përballë arrogancës në rritje të Ramës dhe të “pushteteve të forta” që e mbështesin atë?
Personalisht, përtej ngjashmërive që përmenda, shoh ndryshime të mëdha midis dy realiteteve që nuk më lënë shumë vend për optimizëm.
Ndryshimi thelbësor qëndron në faktin se nëse Italia e Renzit sot mund të konsiderohet një “postdemokraci” – në kuptimin që i jep Colin Crouch kalimit të shumë vendeve perëndimore nga vendimmarrja e popullit në vendimmarrjen e “pushteteve të forta” – Shqipëria e Ramës është një parademokraci, që do të thotë se nuk e ka njohur ende demokracinë”, shkruan Lubonja.
Diskutime rreth kësaj post